Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takua mbrëmë me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak dhe me Zëvendësndihmës Sekretarin e Shtetit të ShBA-së dhe i dërguari special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Pas takimit, Vuçiq shkroi në llogarinë e tij në Instagram se “Serbia ka qenë një partner konstruktiv, i qëndrueshëm dhe i besueshëm që nga dita e parë në të gjitha proceset që çojnë në ruajtjen e stabilitetit në gjithë rajonin”.
“Thashë se është koha që Prishtina përfundimisht t’i përmbushë obligimet e saj dhe mbi të gjitha themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit. Dua të besoj se një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare që ka ndikimin më të madh në Prishtinë ka edhe mekanizma që mund të çojnë në realizimin përfundimtar të zotimeve që Prishtina i ka pranuar dhe nënshkruar më shumë se një dekadë më parë”, ka shkruar Vuçiq në postim.
Lajçak dhe Escobar kanë vizituar më parë Prishtinën, ku kanë biseduar me kreun e shtetit të Kosovës presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, si dhe me liderë të opozitës, në përpjekje për të arritur një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Vuçiq dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, kanë paralajmëruar për sot një fjalim para opinionit.
Vizita e Lajçakut dhe Escobarit pasoi raundin e fundit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë javën e kaluar në Bruksel, i cili nuk dha rezultate konkrete.