Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Mevlüt Çavuşoğlu, tha se në operacionet e vendit të tij në Siri në kuadër të së drejtës për vetëmbrojtje, brenda 6 viteve janë neutralizuar 17.000 terroristë, kurse neutralizimi i të ashtuquajturit lider të DEASh-it terroristit me emrin e koduar Abu Hussein al-Qurayshi me një operacion preciz të Agjencisë turke të Inteligjencës Kombëtare (MIT) është shembulli i fundit i kësaj.
Çavuşoğlu mbajti një fjalim me videokonferencë në "Forumin e Sigurisë të Istanbulit" që po organizohet nga Kryesia e Komunikimeve të Presidencës turke.
Ai tha se përderisa sistemi ndërkombëtar po ndryshon me një shpejtësi marramendëse, janë rritur krizat dhe konfliktet, prej të cilëve 60 për qind ndodhin përreth Türkiyes, duke shtuar se derisa lufta në Ukrainë ende nuk ka përfunduar bota është detyruar të përballet me krizën që shpërtheu në Sudan.
Mbrojtja e Türkiyes, mbrojtja e NATO-s
Duke theksuar se Türkiye si një aleat i përgjegjshëm qëndron gjithmonë pranë aleatëve të saj, Çavuşoğlu vlerësoi se "jemi të vetëdijshëm se mbrojtja e Türkiyes është edhe mbrojtja e NATO-s".
Sipas tij, NATO-ja, ashtu si gjatë dha pas Luftës së Ftohtë, ende vazhdon të jetë i vetmi dhe aktori i kryesor. "Ne si Türkiye i sigurojmë kontribut serioz NATO-s, do të vazhdojmë të sigurojmë. Punojmë për suksesin e Samitit të ardhshëm të Vilnius", tha ai.
Ministri Çavuşoğlu tha se terrorizmi është një nga dy kërcënimet themelore përballë NATO-s dhe se të gjithë aleatët duhet të jenë të bashkuar në luftën kundër kësaj të keqe, duke vazhduar:
"Türkiye është vendi që lufton me sinqeritet kundër terrorizmit në terren. Në operacionet që kryem në Siri në kuadër të së drejtës sonë për vetëmbrojtje që buron nga neni i 51-të i Kartë së Kombeve të Bashkuara, në 6 vjet neutralizuam 17.000 terroristë. Së fundmi, operacioni që kemi kryer në Siri kundër të ashtuquajturit lider të DEASh-it është shembulli i fundit i kësaj lufte të vendosur. Si Türkiye, do të vazhdojmë deri në fund të luftojmë kundër organizatave terroriste nga FETO-ja deri te DEASh-i, nga PKK/YPG/PYD-ja deri Boko Harami, si do që të quhen".
Türkiye, partneri i vërtetë në luftën kundër terrorzmit
Duke u bërë thirrje të gjithë aleatëve Çavuşoğlu theksoi "Türkiye, shteti turk dhe forcat e saj të sigurisë, janë partneri juaj i vetëm i vërtetë në luftën kundër terrorizmit".
Më tej, Çavuşoğlu theksoi se është e qartë se arkitektura evropiane e sigurisë nuk funksionon në nivelin që Türkiye dëshiron dhe se disa fatkeqësisht e kanë bërë plotësisht jofunksionale.
Por, sipas kryediplomatit turk, nuk është e arsyeshme dhe logjike të parashikosh arkitektura të reja sigurie përderisa vazhdon lufta. "Kontributi i Türkiyes në sigurinë transatlantike, e cila është në krye të aleatëve më dominues dhe më të rëndësishëm strategjik të NATO-s, është jetik", u shpreh ai.
Çavuşoğlu, mes të tjerash, theksoi se parandaluan krizën globale të ushqimit falë Marrëveshjes së grurit të Istanbulit të nënshkruar me OKB-në, Rusinë dhe Ukrainën në mes të luftës.
Forumi i Sigurisë i Istanbulit, i cili mbahet më 2-3 maj, do të trajtojë kërcënimet rajonale dhe globale të sigurisë dhe zgjidhjet, sipas Kryesisë së Komunikimeve.
Forumi ndërkombëtar pritet të përfshijë rreth 70 folës vendas dhe të huaj, duke përfshirë politikanë, politikëbërës, akademikë, ekspertë, gazetarë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare.