Türkiye i është përgjigjur sulmit terrorist të 13 nëntorit në Istanbul duke shkatërruar caqe të organizatave terroriste me aksionet e fundit ajrore në Irakun verior dhe Siri, tha sot presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan.
“E dhamë përgjigjen për sulmin e poshtër që kushtoi jetën e 6 personave të pafajshëm duke rrënuar caqe terroriste në Irakun verior dhe Siri. E dijmë identitetin, lokacionin dhe gjurmët e terroristëve. E dijmë gjithashtu kush i patronazhon, armatos dhe inkurajon terroristët”, tha Erdoğan në një ceremoni në provincën verilindore Artvin të Türkiyes.
Mëngjesin e së shtunës, Türkiye filloi operacionin Kthetra-Shpata, një fushatë ndërkufitare ajrore kundër grupit terrorist YPG/PKK e cila ka strehë ilegale përgjatë kufirit me Irakun dhe Sirinë, prej ku planifikojnë sulmet në tokën turke.
Operacioni ajror vjen pas sulmit terrorist të 13 nëntorit në rrugën Istiklal të Istanbulit, ku humbën jetën 6 persona dhe 81 u plagosën.
Çrrënjosja e terroristëve
Türkiye ka bërë punën e saj duke respektuar çdo marrëveshje për sigurimin e kufijve të saj me Sirinë, tha Erdoğan.
“Dhashtë Zoti do t’i çrrënjosim terroristët sa më shpejtë të jetë e mundur”, nënvizoi presidenti turk.
Në fushatën e terrorit prej më shumë se 35 vjetësh, organizata PKK – e listuar si organizatë terroriste nga Türkiye, ShBA dhe BE – ka qenë përgjegjëse për vdekjen e mbi 40 mijë njerëzve, përfshirë gra dhe fëmijë. YPG është dega e këtij grupi terrorist në Siri.