Erdoğan: Nuk lejojmë që baronët terroristë të na devijojnë nga rruga jonë / Foto: AA

Nuk do të lejojmë baronët terroristë nga veriu i Irakut dhe Sirisë, as ata që menaxhojnë këta tradhtarë, të na devijojnë nga rruga jonë, tha të hënën presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan duke iu referuar PKK-së në ceremoninë e hapjes së pistës së dytë të Aeroportit Ndërkombëtar “Sabiha Gokcen” në Istanbul.

Ai theksoi se absolutisht nuk do të lejojë asnjë dëm për vëllazërinë 85-milionëshe.

"Türkiye e vjetër, ku politika u formësua nga terrorizmi, tani i përket së shkuarës. Ne i dimë ambiciet tuaja, e dimë saktësisht se kush jeni. Për sa kohë që jeta jonë na lejon dhe me mbështetjen e palëkundur të kombit tonë të nderuar, ne do të vazhdojmë të luftojmë me ju”, tha Erdoğan.

Që nga sulmet terroriste të PKK-së javën e kaluar, ku u vranë 12 ushtarë, sulmet ajrore turke kanë shkatërruar dhjetëra objektiva terroristë në Irakun verior dhe Siri, duke neutralizuar shumë terroristë.

Pas sulmit terrorist në Irakun verior, Türkiye ripohoi vendosmërinë e saj për të luftuar dhe eliminuar terrorizmin në burimin e tij.

Terroristët e PKK-së shpesh fshihen në Irakun verior për të planifikuar sulme ndërkufitare në Türkiye.

Türkiye nisi Operacionin "Kthetra-Shpata" në prill 2022 për të shënjestruar strehëzat e grupit terrorist PKK në rajonet Metina, Zap dhe Avasin-Basyan të Irakut verior, të cilat ndodhen pranë kufirit turk.

PKK-ja është organizatë separatiste e listuar si grup terrorist në Türkiye, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë fushatës terroriste disadekadëshe kundër Türkiyes, terroristët e PKK-së kanë vrarë të paktën 40.000 njerëz, duke përfshirë gra e fëmijë.

AA