Türkiye vazhdon bisedimet me Rusinë dhe Ukrainën për t’i dhënë fund luftës aktuale, tha presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan të mërkurën.
“Ne ishim dëshmitarë se, bashkë me marrëveshjen e drithit dhe shkëmbimin e të burgosurve, rruga drejt paqes mund të shtrohet nëse i jepet rast diplomacisë”, tha presidenti Erdoğan në takimin tripalësh mes Türkiyes, Azerbejxhanit dhe Turkmenistanit, duke përmendur marrëveshjet mes të dyja palëve të ndërmjetësuara nga Ankaraja.
“Ne vazhdojmë bisedimet tona me presidentin rus Vladimir Putin dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy në këtë drejtim. Shpresojmë se do të arrijmë fillimisht armëpushim, e më pas edhe paqe të qëndrueshme në rajon”, deklaroi Erdoğan.
Presidenti turk Erdogan, presidenti i Azerbejxhanit Ilham Aliyev dhe lideri i Turkmenistanit Serdar Berdimhamedov u takuan të mërkurën në qytetin e Turkmenistanit perëndimor Awaza, për të adresuar thellimin e bashkëpunimit mes të tria shteteve në sfera të ndryshme, veçanërisht tregtinë, energjinë dhe transportin.
Lideri turk tha se treshja duhet të fillojë të punojë për transferimin e gazit natyror turkmen në tregjet perëndimore.
“Jemi gati të punojmë për transferimin e energjisë elektrike nga Turkmenistani dhe Azerbejxhani në vendin tonë”, tha Erdoğan.
Presidenti turk tha gjithashtu se anëtarësimi i plotë i Turkmenistanit në Organizatën e Shteteve Turke do ta përforconte këtë grup. Turkmenistani tani për tani ka status mbikëqyrës.