Fidan, thirrje anëtarëve të G20-shit të vendosin një armëpushim në Gaza.    /Foto: AA

Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan u bëri thirrje sot anëtarëve të G20-shit që të luajnë një rol më aktiv në arritjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.

Fidan mori pjesë në një sesion mbi rolin e G20-shit në tensionet e vazhdueshme ndërkombëtare në takimin e ministrave të jashtëm të G20-shit në Brazil, ku tha se "brutaliteti në Gaza duhet të ndalet sa më shpejt të jetë e mundur".

Fidan inkurajoi komunitetin ndërkombëtar dhe G20-shin të mbështesin një zgjidhje me dy shtete midis Izraelit dhe Palestinës, thanë burimet diplomatike.

Duke komentuar luftën në Ukrainë, e cila po vazhdon prej dy vitesh, Fidan tha se Türkiye shpreson që palët t'i drejtohen diplomacisë dhe të arrijnë një zgjidhje. Ai theksoi se Ankaraja do të vazhdojë me iniciativat në këtë drejtim.

Kreu i diplomacisë turke tha më tej se komuniteti ndërkombëtar po përballet me shumë sfida si pabarazia dhe padrejtësia globale, cenueshmëria ekonomike, problemet mjedisore dhe inteligjenca artificiale.

Ai theksoi rëndësinë e diplomacisë globale dhe G20-shin për të zhvilluar iniciativa të përbashkëta në të gjitha fushat e krizës.

Fidan u bëri thirrje të gjitha palëve që të punojnë për paqen dhe sigurinë globale nën sloganin "Forcimi i diplomacisë në parandalimin e krizave", që do të jetë tema e Forumit Diplomatik në Antalia, i cili do të mbahet nga 1 deri më 3 mars.

Fidan foli me homologët amerikanë dhe gjermanë Blinken e Baerbock

Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Türkiyes, Hakan Fidan, ka takuar në Brazil Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, e më pas me shefen e diplomacisë gjermane, Annalena Baerbock.

Takime të veçanta u mbajtën në Rio de Zhaneiro në margjinat e takimit të ministrave të jashtëm të grupit G20, i cili mbledh së bashku fuqitë më të mëdha ekonomike në botë.

TRT Balkan / agjencitë