Hapet ekspozita Istanbul Photo Awards 2024 në bibliotekën Rama në Istanbul / Photo: AA

Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës morën pjesë Guvernatori i Istanbullit Davut Gul, anëtarët e jurisë të këtij edicioni, fotografë të vlerësuar me çmime, si dhe të ftuar të shumtë. Kryetari i Bordit Drejtues dhe Drejtori i Përgjithshëm i AA, Serdar Karagoz, tha në fjalën e tij të hapjes së ekspozitës se çdo foto është një dokument dhe krijon një kujtim. Duke theksuar se nga fotografia e parë deri tek ato të sotmet, kanë ndryshuar shumë gjëra, Karagoz tha: "Shumë gjëra kanë ndryshuar në botën e fotografisë që nga krijimi i fotografisë së parë të përhershme, nga metodat e fotografisë me ngjyra te teknologjitë e përpunimit të fotografive të pasuruara me inteligjencë artificiale. Por, fakti që çdo fotografi është një dokument, nuk ka ndryshuar kurrë. Çdo fotografi është një dëshmitar i kohës dhe ndërton një kujtim”. Ai iu referua edhe fotos fituese të këtij viti. “Vepra e cilësuar si e denjë për çmimin e sivjetmë, “Foto e Vitit”, është vepra emocionuese dhe mbresëlënëse e Mohammed Salem “Gruaja palestineze përqafon trupin e vdekur të mbesës së saj”.

“Kjo fotografi përmban edhe një histori që prek thellë shpirtin e njeriut. Kjo histori është historia e Gazës, siç e dimë të gjithë. Ky është një kornizë që nuk do të fshihet jo vetëm nga dokumentet, por as nga kujtesa jonë kolektive, dhe fatkeqësisht shumë nga këto regjistrime dëshmohen edhe sot. Administrata izraelite ka vazhduar sulmet e saj intensive në Gaza që nga tetori”, tha Karagoz.

Duke kujtuar se më shumë se 140 gazetarë kanë humbur jetën në sulmet izraelite në Gaza që nga 7 tetori, Karagoz vazhdoi: “Në mesin e gazetarëve që humbën jetën është edhe kameramani i Anadolu Agency, Muntasır es-Savvaf, i cili punonte në Gaza, e lus Zotin ta ketë mëshiruar. Ky numër mund të krahasohet me faktin se 69 gazetarë humbën jetën gjatë Luftës së Dytë Botërore gjashtëvjeçare. Të gjitha këto shifra janë përmbledhja më e qartë e situatës së sotme. Si Anadolu, ne vazhdojmë punën tonë që dëshmon faqet e dhimbshme të historisë njerëzore dhe zbulon fytyrën e vërtetë të kësaj lufte”.

Ai përkujtoi se Anadolu ka botuar dy libra “Dëshmitar” dhe “Dëshmi”, të cilat përmbajnë pamje nga Gaza dhe së shpejti do të përgatiten edhe filma dokumentarë me të njëjtin tituj.

“Nuk do të heshtim derisa masakrat të vazhdojnë”

Karagoz tha se në hyrje të ekspozitës ndodhet edhe një dhomë palestineze dhe se këtë pjesë ia kushtuan kujtimit të gazetarëve që humbën jetën në sulmet izraelite.

Duke vënë në dukje se qeveritë perëndimore kanë qëndruar të heshtura për çështjen e Gazës dhe nuk kanë reaguar mjaftueshëm ndaj sulmeve të Izraelit, Karagoz tha:

"Kundër kësaj shtypjeje dhe dhunës, njerëzit e ndërgjegjshëm në mbarë botën vazhdojnë të tregojnë të gjitha llojet e rezistencës ndaj kësaj padrejtësie. Ka njerëz në rrugë, në sheshe, në kampuse universitare, që bërtasin për një Palestinë të lirë., Kjo nuk është çështje politike, është çështje njerëzore. Nuk do të heshtim derisa masakrat të vazhdojnë. Është ky qëndrim i guximshëm, i ndërgjegjshëm dhe i vendosur që do të ndërtojë të ardhmen”

Platforma globale me 18.000 fotografë të regjistruar “Që nga viti i parë, Istanbul Photo Awards është bërë një platformë globale ku janë regjistruar rreth 185.000 fotografi dhe 18.000 fotografë në 10 vjet.

Fotografët tanë kanë regjistruar atë që po ndodh në Gaza me lentet e tyre dhe fotografët më të mirë në botë kanë shkaktuar një reagim këtu me pamjet e tyre nga Gaza”, përfundoi Karagoz.

Ceremonia shfaqi një video-mesazh të dërguar nga Gaza nga fotoreporteri i Reuters, Mohammed Salem, fitues i kategorisë "Single News" dhe fitues i çmimit "Foto e Vitit".

Në konkursin, në të cilin janë paraqitur më shumë se 20.000 fotografi gjithsej, janë shpërblyer 32 fotografë në dhjetë kategori.

Fotografia e Salem me titull "Gruaja palestineze përqafon trupin e pajetë të mbesës së saj" u shpall më e mira në mesin e fotove të dërguara nga e gjithë bota. Në foto, gruaja palestineze 36-vjeçare Inas Abu Maamar përqafon trupin e pajetë të mbesës së saj pesëvjeçare Saly, e cila u vra në një sulm izraelit në spitalin Nasser në Khan Younis, në Rripin jugor të Gazës.

Fituesit e Istanbul Photo Awards, i cili është kthyer në një platformë globale me 18 mijë fotografë të regjistruar, u përcaktuan nga një juri ndërkombëtare e përbërë nga emra prestigjiozë të botës së fotografisë.

AA