Industritë e Aerohapësirës Turke (IAT) shënuan sukses të ri eksporti me platformat kombëtare dhe unike që ka zhvilluar.
Kompania ka mbajtur një strategji të qëndrueshme rritjeje që nga viti 2018 dhe ka marrë një porosi prej 1 miliard dollarësh vitin e kaluar me futjen e produkteve të saj origjinale në treg, tha për Anadolun Bertan Kurt, kreu i marketingut korporativ dhe i komunikimit në IAT, në margjinat e Ekspozitës Ndërkombëtare Detare dhe të Aviacionit në Langkawi (LIMA 2023) të Malajzisë.
Disa firma turke të mbrojtjes, përfshirë IAT-in, po marrin pjesë në LIMA 2023, i cili do të zgjasë gjatë fundjavës.
Edicioni i 16-të i ekspozitës Langkawi, i cili mbështetet nga ministria e mbrojtjes dhe ajo e transportit e Malajzisë, është një nga panairet më të mëdha të mbrojtjes në rajonin Azi-Paqësor.
IAT-i prezantoi avionin që zhvilloi tek autoritetet ushtarake dhe civile në vendet e rajonit, veçanërisht në Malajzi.
Në pesë vitet e fundit, kompania ka nënshkruar kontrata me vlerë prej 3,3 miliardë dollarësh me 13 vende të ndryshme.
IAT-i shiti dhe kompletoi disa dërgesa të mjeteve ajrore pa pilot ANKA (UAV) ose dronë në gjashtë vende, drone AKSUNGUR në dy vende, helikopterë ATAK në tri vende, drone HURKUS në dy vende dhe SIMSEK (dronë të synuar me shpejtësi të lartë) në një vend.
Kompania deri më tani ka dorëzuar katër ATAK në Filipine, tri ANKA në Kazakistan, dy AKSUNGUR në Kirgizistan, tre HURKUS dhe dy ANKA në Çad, dy HURKUS në Niger dhe pesë ANKA në Tunizi.
Duke punuar me kompanitë lider në botë në strukturat e avionëve, IAT-i nënshkroi një kontratë të re për zhvillimin e biznesit me vlerë rreth 2,5 miliardë dollarë në tri vitet e fundit. Kompania synon të rrisë suksesin e saj në eksport në vitin 2023.
Rajoni i ri i synuar: Amerika e Jugut
IAT-i nënshkroi një kontratë me vlerë 300 milionë dollarë në tre muajt e parë të këtij viti dhe gjithashtu planifikon të realizojë shitje të reja prej 2 miliardë dollarësh me helikopterin sulmues ATAK të prodhuar në masë, ANKA dhe dronët AKSUNGUR si dhe avionët HURKUS.
Kompania gjithashtu planifikon të hyjë në rajonin e Amerikës së Jugut këtë vit.
Në strukturat e avionëve, objektivi i ri i zhvillimit të biznesit të kompanisë për këtë vit është vendosur në 550 milionë dollarë.
Kompania pret rreth 3 miliardë dollarë në kontrata të reja të huaja në vitin 2023.
Në pesë vitet e fundit, IAT-i ka bërë eksporte me vlerë prej 2,5 miliardë dollarësh në mbarë botën dhe synon të arrijë një shifër eksporti prej 1 miliardë dollarësh në vitin 2023.