Agjencia Kombëtare e Inteligjencës turke (MIT) "neutralizoi" kreun e grupit terrorist PKK/YPG në qytetin verior të Sirisë Ayn al-Arab, njoftuan sot burime të sigurisë.
Në një operacion ndërkufitar, MIT-i "neutralizoi" Mutlu Kacarin, me emrin e koduar Karker Andok, anëtari kryesor i grupit terrorist në rrethin Ayn al-Arab, thanë burimet në kushte anonimiteti.
Autoritetet turke përdorin termin "neutralizim" për të nënkuptuar se terroristët në fjalë janë dorëzuar, vrarë ose janë kapur.
Kacar iu bashkua organizatës terroriste në vitin 1997 dhe u angazhua në aktivitete terroriste në rajonin Haftanin të Irakut verior në vitin 2009, ndërsa pësoi lëndime në dorë dhe sy në përleshjet me forcat e sigurisë.
Duke vepruar si kreu i vetëshpallur i Kampit Makhmur Rustem Cudi në Irakun verior në vitin 2013, në rajonin Tel Rifaat të Sirisë në 2015, dhe si i ashtuquajturi shef i forcave lokale në Tel Rifaat të PKK/YPG-së në vitin 2020, Kacar mori rolin e udhëheqësit në Ayn al-Arab të PKK/YPG-së në fillim të këtij viti.
Në vitin 2022, ai shkoi në Al-Malikiyah në Sirinë verilindore. Një vit më parë, ai urdhëroi një sulm terrorist ndaj një autokolone të forcave turke të sigurisë që vepronin në zonën e operacionit "Mburoja e Eufratit" në veri të Sirisë, duke rezultuar në vdekjen e dy ushtarëve më 24 korrik 2021.
Që nga viti 2016, Ankaraja ka kryer tri operacione të suksesshme antiterroriste përtej kufirit të saj në veri të Sirisë për të parandaluar formimin e një korridori terrorist dhe për të mundësuar vendosjen paqësore të banorëve: Mburoja e Eufratit (2016), Dega e Ullirit (2018) dhe Burimi i Paqes (2019).
Operacioni që "neutralizoi" Kacarin, i cili ishte nën vëzhgim prej kohësh nga forcat e sigurisë, erdhi pasi MIT-i zbuloi vendndodhjen e tij në Siri.
Në fushatën e saj terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Türkiyes, PKK-ja, e listuar si organizatë terroriste nga Türkiye, ShBA-ja dhe BE-ja, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e mbi 40 mijë njerëzve, duke përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG-ja është dega e saj siriane.