Makina e parë elektrike TOGG e Türkiyes do të jetë e disponueshme për klientët individualë me porosi këtë muaj, ndërsa dorëzimi pritet të bëhet brenda vitit.
Porositë individuale për veturën turke TOGG nëpërmjet platformës së internetit do të jenë të mundshme nga data 16 deri më 27 mars, ndërsa dërgesat e automjeteve për klientët do të realizohen gjatë vitit 2023, konfirmohet nga kjo kompani.
Modeli "T10X", i cili doli nga linja e montimit në Ditën e Republikës, më 29 tetor 2022, së shpejti do të jetë në garazhet e klientëve individualë që vendosin të porosisin paraprakisht nëpërmjet platformës onlajn të kompanisë.
Çmimi i modelit bazë fillon nga 953 mijë lira turke (TL) ose afërsisht 46 mijë euro, dhe klientët kanë në dispozicion opsionet prej 523 dhe 314 kilometra të rrezes së baterisë, karikimi bazë i të cilave nga 20 në më shumë se 80 për qind është i mundur në më pak se 28 minuta.
Prodhimi vendas i makinave në Türkiye
Presidenti i Türkiyes Recep Tayyip Erdoğan hoqi nga linja e prodhimit makinën e parë elektrike vendase TOGG në 99-vjetorin e Ditës së Republikës, 29 tetor 2022.
Me iniciativën e presidentit Erdoğan, ëndrra turke për një makinë vendase dhe kombëtare u ringjall dhe kërkimi i investitorëve nën drejtimin e Unionit të Dhomave dhe Bursave të Türkiyes (TOBB) përfundoi në një kohë të shkurtër.
Prodhimi vendas i makinave kryhet nën koordinimin e Ministrisë së Industrisë dhe Teknologjisë së Türkiyes dhe TOBB-së dhe Protokolli për bashkëpunim për investimin e përbashkët në projektin e makinave u nënshkrua më 2 nëntor 2017 nga kompanitë Anadolu Group, BMC, Kiraca Holding, Turkcell Group dhe Zorlu Holding.
Në fund të vitit 2019 u përcaktua vendndodhja ku do të ndërtohet fabrika dhe me prezencën e presidentit Erdoğan u prezantuan karakteristikat dhe prototipet e dy modeleve të makinës elektrike turke C-SUV dhe C-Sedan.
Ndërtimi i kompleksit të fabrikës për prodhimin e makinave elektrike në rrethin Gemlik të provincës Bursa filloi zyrtarisht në korrik 2020 në një sipërfaqe prej 1,2 milion metra katrorë.
Logoja e re e TOGG u zbulua më 18 dhjetor 2021. Dy shigjetat në dizajnin e logos, të cilat bashkohen në një gur të çmuar në mes, simbolizojnë bashkimin e kulturave lindore dhe perëndimore dhe theksojnë se TOGG është një kompani teknologjike që bashkon teknologjinë dhe njerëzit në kryqëzimin e së sotmes dhe së nesërmes.
Testimi i makinës turke TOGG u krye në pistat e licencuara në Türkiye, Suedi dhe Argjentinë dhe suksesi në atë fazë i hapi rrugën hapjes ceremoniale të kompleksit të fabrikës për prodhimin serik të një makine elektrike që shquhet për dizajn të pasur dhe karakteristika teknologjike.
Sisteme të avancuara
E pajisur me një bateri jetëgjatë, e siguruar nga sistemet e avancuara të menaxhimit të baterive dhe sistemeve aktive të menaxhimit termik, makina mund të përshpejtojë nga 0-100 km/h në më pak se 7,6 sekonda me 200 kuaj fuqi dhe 4,8 sekonda me 400 kuaj fuqi.
Me një bateri të integruar në platformë, e përputhshme me nivelin me pesë yje Euro NCAP, do të ketë rezistencë të lartë ndaj goditjes dhe 30 për qind më shumë rezistencë ndaj rrotullimit.
Pas përfundimit të testeve të homologimit, SUV-i i parë në segmentin C u hodh në treg në fund të tremujorit të parë të vitit 2023. Pastaj modelet sedan dhe hatchback në segmentin C do të hyjnë në linjën e prodhimit. Në vitet e ardhshme, me shtimin e B-SUV dhe C-MPV, do të kompletohet gama TOGG prej pesë modelesh.
Kur kompleksi i prodhimit të arrijë kapacitetin vjetor të prodhimit prej 175.000 automjetesh, do të punësojë 4.300 njerëz. TOGG planifikon të prodhojë një milion automjete deri në vitin 2030.