Presidenti turk i kërkon Izraelit t'i japë fund agresionit ndaj Sirisë / Photo: AA

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se të gjitha forcat që sulmojnë territoret siriane, duke filluar nga Izraeli, duhet t'u japin fund menjëherë veprimeve agresive, përndryshe rezultatet do të kenë një "ndikim negativ për të gjithë".

Presidenti Erdoğan u adresua në Asamblenë e Madhe Kombëtare të Türkiyes (TBMM) para grupit parlamentar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), që udhëhiqet nga ai, ku ndër të tjera foli për çështjet rajonale, veçanërisht mbi zhvillimet e fundit në Rripin e Gazës dhe Siri.

Duke iu referuar Sirisë, presidenti Erdoğan tha se nuk ka asgjë më të natyrshme që Türkiye të ndërhyjë në vendin fqinj për arsye krejtësisht të drejta dhe legjitime, veçanërisht për arsye humanitare.

"Çfarëdo që të bëni, nuk mund ta shuani revolucionin sirian duke e fryrë atë. Nuk do të mund të bëni dot as provokimin që dëshironi në vendin tonë", tha Erdoğan.

Ai theksoi se nuk do të arrihet "të prishet vëllazëria Türkiye-Siri, turke-kurde-arabe" dhe se "nuk do të mund të vendosni dinamit në vullnetit tonë të bashkëjetesës".

"Vendin fqinj me të cilin kemi lidhje vëllazërore qindra vjeçare dhe një kufi prej 911 kilometrash, nuk mund ta shohim nga perspektiva e perëndimorëve", shtoi ai.

Presidenti turk theksoi se ashtu siç janë me çdo komunitet në Siri, gjithashtu "ndjekim dhe mbështesim edhe zgjidhjen e të gjitha çështjeve të vëllezërve tanë kurdë". Ai tha se Türkiye është garantuesi i sigurisë së kurdëve.

"Organizata terroriste YPG uzurpoi edhe burimet natyrore të Sirisë, nëse nuk shpërbëhet dhe nuk i lë armët, nuk do t'i shpëtoj dot fatit të hidhur që po i afrohet", theksoi Erdoğan.

Ai porositi që "të gjithë t'i heqin duart nga rajoni" dhe "ne së bashku me vëllezërit tanë sirianë, do të shtypim kokat e organizatave terroriste përfshirë DEASH-in dhe YPG-në".

"Duke filluar nga Izraeli, forcat që sulmojnë territoret siriane duhet t'u japin fund menjëherë veprimeve agresive. Përndryshe, rezultatet do të kenë një ndikim negativ për të gjithë", tha presidenti turk.

Më tej, presidenti turk foli edhe për sulmet izraelite ndaj Rripit të Gazës, si pasojë e të cilave që nga 7 tetori i vitit 2023 janë vrarë të paktën 46.600 palestinezë, shumica prej të cilëve gra dhe fëmijë.

Me arritjen e armëpushimit në Gaza, theksoi presidenti Erdoğan, ku prej 15 muajsh vazhdon gjenocidi dhe masakrat, "do të krijohet mundësi e rëndësishme për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në të gjithë rajonin"

"Bisedimet e armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit i ndjekim nga afër. Shpresojmë të marrim lajme pozitive sa më parë", tha ai.

AA