Türkiye është e vendosur për të çrrënjosur terrorizmin në Irak dhe Siri      / Foto: AA

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan e ka kryesuar një takim sigurie në zyrën e Dolmabahçes në Istanbul.

Ministri i Jashtëm Hakan Fidan, Ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya, Ministri i Mbrojtjes Kombëtare Yasar Guler, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm turk Metin Gurak, shefi i Organizatës Kombëtare të Inteligjencës (MIT) Ibrahim Kalin, Drejtori i Komunikimeve Fahrettin Altun, si dhe Zëdhënësi dhe Kryekëshilltari i Presidentit të Türkiyes Akif Cagatay Kiliç morën pjesë në takim, njoftoi Drejtoria e Komunikimeve të Türkiyes nëpërmjet një komunikate të shtunën.

Zhvillimi erdhi pasi nëntë ushtarë turq u vranë në një sulm terrorist të PKK-së në veri të Irakut mbrëmjen e 12 janarit.

Në takimin e sigurisë u vlerësuan strategjitë e vendit kundër terrorizmit, veçanërisht në përgjigje të sulmit të fundit terrorist në Zonën e Operacionit Claw-Lock në veri të Irakut dhe hapat e ndërmarrë dhe që do të ndërmerren për të luftuar terrorizmin, thonë nga Drejtoria e Komunikimit të Türkiyes.

Në përfundim të takimit u konfirmua vendosmëria për të vazhduar luftën e pamëshirshme kundër organizatës terroriste PKK/YPG/KCK dhe mbështetësve të saj në kuadër të parandalimit dhe shkatërrimit të kërcënimeve në burimet e tyre.

45 terroristë të neutralizuar në veri të Irakut dhe Sirisë

Pas sulmit të tmerrshëm, operacionet turke rezultuan me neutralizimin e 45 terroristëve, prej të cilëve 36 në veri të Irakut dhe 9 në veri të Sirisë.

Zyrtarët në këtë takim të sigurisë theksuan se këto operacione do të vazhdojnë deri në çrrënjosjen e plotë të terrorizmit në Irak dhe Siri.

Grupi terrorist PKK/YPG/KCK, siç njoftuan autoritetet turke, pësoi humbje të konsiderueshme. Brenda kësaj periudhe Türkiye vazhdon operacionet e suksesshme ndërkufitare.

Në kohë kur organizata terroriste përballet me presion në rritje në Siri dhe Irak, përpjekjet për të ringjallur grupin kanë marrë vrull, thuhet në njoftim.

“Në asnjë rrethanë ne nuk do të lejojmë krijimin e një ‘shteti terrorist’ përgjatë kufijve tanë jugorë, pasi prioriteti ynë është të shkatërrojmë çdo shpellë, strehimore dhe strukturë terroriste”, konfirmohet në njoftim.

Drejtoria e Komunikimeve të Türkiyes ritheksoi gjithashtu angazhimin për ushtrimin e së drejtës për mbrojtje legjitime dhe zhdukjen e kërcënimeve terroriste në përputhje me marrëveshjet dypalëshe.

Türkiye filloi operacionin Claw-Lock në prill të vitit 2022 për të shënjestruar strehët e organizatës terroriste PKK në rajonet veriore të Irakut, Metina, Zap dhe Avasin-Basyan pranë kufirit turk.

Ai u parapri nga operacionet Claw-Tiger dhe Claw-Eagle të nisur në vitin 2020 për të çrrënjosur terroristët që fshiheshin në veri të Irakut dhe komplotonin sulme ndërkufitare në Türkiye.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Türkiyes, PKK-ja - e listuar si një organizatë terroriste nga Türkiye, ShBA-ja dhe Bashkimi Evropian - ka qenë përgjegjëse për vdekjen e më shumë se 40.000 njerëzve, duke përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja.

TRT Balkan / agjencitë