Türkiye shpreh shqetësim për agresionin e Izraelit në Rafah/     Foto: AA

Ministria e Jashtme turke nëpërmjet një deklaratë shpreh shqetësimin e thellë në lidhje me përshkallëzimin e fundit të sulmeve izraelite që synojnë qytetin jugor Rafah në Gaza.

Sipas deklaratës së Ministrisë e cila u tha të hënën, këto veprime agresive vijnë në vazhdën e shkatërrimit të gjerë dhe humbjeve të jetëve të shkaktuara tashmë në Gaza, duke përkeqësuar një krizë të tmerrshme humanitare në rajon.

“Ne jemi jashtëzakonisht të shqetësuar nga sulmet e përshkallëzuara të Izraelit në qytetin jugor të Rafahut, pas shkatërrimit dhe masakrave që ai ka shkaktuar tashmë në Gaza”, thuhet në deklaratë.

“Përkeqësimi i tragjedisë humanitare në Gaza”

Ministria e Jashtme turke e karakterizoi ofensivën e vazhdueshme ushtarake të Izraelit në Rafah si pjesë të një strategjie më të gjerë që synon zhvendosjen me forcë të palestinezëve në Gaza nga tokat e tyre të trashëguara.

“Sulmet e vazhdueshme do të përkeqësojnë tragjedinë humanitare në Gaza dhe do të zvogëlojnë përpjekjet për të siguruar një armëpushim të qëndrueshëm në rajon”, thuhet në deklaratë.

Deklarata i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar, me një theks të veçantë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të ndërmarrë veprime të menjëhershme dhe vendimtare për t'i dhënë fund agresionit ushtarak të Izraelit në Gaza.

Po ashtu, ata kërkuan përpjekje të përbashkëta diplomatike për të mbështetur parimet e drejtësisë, respektimin e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit në rajon.

Numri i të vdekurve afrohet në 30.000

Izraeli nisi një ofensivë vdekjeprurëse në Gaza më 7 tetor, si dhe ka vrarë të paktën 28.340 palestinezë dhe ka plagosur 67.611 pas një sulmi të papritur nga grupi i rezistencës palestineze Hamas.

Gati 1.200 izraelitë besohet se janë vrarë në sulmin e Hamasit.

Sipas OKB-së, ofensiva izraelite ka lënë 85 për qind të popullsisë së Gazës të zhvendosur brenda vendit, mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

TRT World