Ka filluar sot në Johannesburg Samiti i 15-të i organizatës BRICS, anëtarë të së cilës janë Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut.
Organizata e krijuar në vitin 2009, tërheq vëmendjen sidomos viteve të fundit, pas thellimit të ndarjes mes Lindjes dhe Perëndimit. Shumë analistë dhe politikanë e shohin BRICS-in si ekuivalente të Bashkimit Evropian në rrafshin ekonomik, megjithëse kjo organizatë nuk ka përkufizim gjeografik.
Përveç pesë shteteve anëtare, edhe 22 shtete të tjera kanë shprehur interesimin për t’iu bashkëngjitur nismës.
Çfarë është BRICS?
BRICS nisi si bashkëpunim mes Brazilit, Rusisë, Indisë dhe Kinës në vitin 2009, ndërsa u zgjerua me Afrikën e Jugut në vitin 2010. Akronimi përbëhet nga emrat e pesë shteteve anëtare, ndërsa u popullarizua nga mediat, të cilat përshkruanin pesëshen si ekonomi me zhvillim të shpejtë të cilat do të dominojnë ekonominë botërore deri në vitin 2050.
Sipërfaqja e pesë vendeve anëtare bashkë është rreth 40 milion km2, ose rreth 26,7% e sipërfaqes së tokës. Pesë vendet anëtare kanë 41,5% të popullsisë në botë, ndërsa Prodhimi Bruto Vendor i përbashkët vlerësohet mbi 56 trilionë dollarë, ose rreth 32,5% të PBV-së globale.
BRICS ka themeluar Bankën e Re të Zhvillimit në vitin 2015, e cila që atëherë ka financuar 98 projekte në vlerë të përgjithshme prej 32,4 miliardë dollarë.
Synim zgjerimi dhe fuqizimi
Gjithsej 22 vende kanë aplikuar formalisht për anëtarësim në organizatën BRICS. Lista e aplikimeve përfshin vende arabe, vende të Amerikës së Jugut, Afrikës dhe Azisë.
Algjeria, Argjentina, Bahreini, Bangladeshi, Bjellorusia, Bolivia, Kuba, Egjipti, Etiopia, Honduras, Indonezia, Irani, Kazakistani, Kuvajti, Nigeria, Palestina, Arabia Saudite, Senegali, Tajlanda, Emiratet e Bashkuara Arabe, Venezuela dhe Vietnami janë 22 shtetet kandidate.
“BRICS ka filluar procesin e zgjerimit për t'u bërë një nga shtyllat e një rendi të ri botëror, më të drejtë, policentrik”, tha ministri i Jashtëm rus Sergei Llavrov në një artikull për revistën e Afrikës së Jugut Ubuntu, në prag të samitit të gushtit.
Interes të veçantë ka nxitur aplikimi i Arabisë Saudite, ndërsa themeluesit nuk e fshehin se duan ta afrojnë Saudinë drejt BRICS-it. Analistët vlerësojnë se grupimi formal i Arabisë Saudite – prodhuesi i dytë më i madh global i naftës – në një organizatë me Rusinë dhe Kinën, do të tërhiqte vëmendjen e Washingtonit.
Kina gjithnjë e më shumë po tenton të shtrijë ndikimin në Gjirin Arabik. Së fundmi, Kina ndërmjetësoi marrëveshjen mes Arabisë Saudite dhe Iranit, duke rikthyer marrëdhëniet diplomatike mes vendeve.
Samiti i Johannesburgut
Samiti i BRICS-it në Johannesburg do të zgjasë deri më 24 gusht, ndërsa janë ftuar mbi 60 vende. Pikërisht zgjerimi do të jetë ndër temat kryesore në Samit.
Në të marrin pjesë presidenti i Kinës Xi Jinping, kryeministri i Indisë Narendra Modi, presidenti i Brazilit Lula dhe presidenti i Afrikës së Jugut nikoqire Cyril Ramaphosa. Presidenti rus Vlladimir Putin do të marrë pjesë në samit nëpërmjet videolidhjes dhe vendi do të përfaqësohet në Johanesburg nga ministri i Jashtëm Sergej Llavrov.
Në mars, Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) në Hagë lëshoi një urdhër arrest për Putinin dhe Afrika e Jugut, si nënshkruese e marrëveshjes, detyrohet të arrestojë presidentin rus nëse ai shkel në territorin e saj.