Policia gjermane po përballet me kritika të rënda pasi një video që u bë virale tregon një oficer policie duke bërë sharje raciste dhe duke përdorur forcë të tepruar teksa arrestonte një baba përpara fëmijëve të tij të tmerruar.
Videoja, e shpërndarë nga një ligjvënës në mediat sociale, tregon dy oficerë policie që shtrin për tokë një burrë në shtëpinë e tij në Berlin, ndërsa fëmijët e tij qajnë dhe gruaja e tij u lutet oficerëve që të mos e lëndojnë bashkëshortin e saj.
Një nga oficerët e policisë dëgjohet duke i bërtitur gruas: “Kjo është toka ime dhe ti je mysafir këtu”.
Pak më vonë në video, oficeri i thotë familjes emigrante: “Ju jeni këtu në vendin tonë, duhet të silleni sipas ligjeve tona”.
Duke vazhduar kërcënimet e tij, oficeri po ashtu i thotë gruas: “Mbylle gojën, mos më prek më. Ose do të të çoj në burg”.
Duke shpërndarë videon në Twitter, deputeti i Partisë së Majtë Ferat Koçak kritikoi sjelljen e policëve.
“Racizëm në policinë e Berlinit”, shkroi ai në Twitter.
Policia hap hetim
Policia e Berlinit tha në një deklaratë zyrtare të martën tha se një hetim ka filluar të premten e kaluar ndaj një oficeri me dyshimin për përdorimin e fyerjeve ksenofobike.
Sipas deklaratës, oficerët e policisë kanë vizituar banesën në mëngjesin e hershëm të 9 shtatorit, duke ndjekur një urdhër arresti për burrin, i cili akuzohej për përfitime me mashtrim.
Burri thuhet se i ka rezistuar arrestimit dhe më pas është shtrirë për tokë nga oficerët. Përveç kësaj, ai ishte në pranga.
Bashkëshortja e të dyshuarit më pas është përpjekur ta shpëtonte burrin e saj nga arrestimi i policisë, por është bllokuar nga policia, thuhet në raport.
Pas ngjarjes, burri dhe gruaja e tij kanë denoncuar punonjësit e policisë për përdorim të tepruar të forcës dhe fyerje ksenofobike. Ata gjithashtu u kanë dhënë autoriteteve video si provë.
Policia e Berlinit tha në një deklaratë se ankesa e çiftit është marrë nga një departament që nuk ishte i përfshirë në arrestim. Ajo shtoi se hetimi është në vazhdim.