Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Faisal bin Farhan tha se vendi i tij ka marrëdhënie strategjike me ShBA-në dhe se vendimet e OPEC+ për të pakësuar prodhimin e naftës bruto janë vetëm ekonomike.
Bin Farhan në televizionin e Arabisë Saudite "Al-Arabia" dhe iu përgjigj deklaratave të bëra se ShBA-ja do të rishikojë marrëdhëniet me vendin e tij për shkak të vendimeve të OPEC+.
"Vendimet e OPEC+ nuk kanë drejtim politik dhe as nuk i shohim në aspektin politik. Vendimet janë vetëm ekonomike. Marrëdhëniet me Washingtonin janë strategjike, në mënyrë që të mbështesin stabilitetin dhe sigurinë e rajonit. Marrëdhëniet mes Rijadit dhe Washingtonit sigurojnë kontribut për interesin e dy vendeve dhe stabilitetin e rajonit. Marrëdhëniet tona me SHBA-në kanë qenë institucionale që nga themelimi i tyre", deklaroi Bin Farhan.
Ndërsa në lidhje me zhvillimet në Jemen, Bin Farhan tha se "Vazhdojnë përpjekjet për zgjatjen e armëpushimit".
Për negociatat e normalizimit të marrëdhënieve me Iranin, Bin Farhan rikujtoi se punimet e dialogut nuk kanë arritur ende në rezultatin e dëshiruar dhe se presin negociatat e gjashta.
Ministrat e Energjisë dhe Naftës të grupit OPEC+ në një takim të mbajtur më 5 tetor në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë, morën vendim që duke filluar që nga nëntori të reduktojnë me 2 milionë fuçi në ditë prodhimin e naftës bruto.
Pas deklaratave kreu i komunikimeve Strategjike të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Kirby tha se presidenti i SHBA-së, Joe Biden po rishikonte marrëdhëniet me Arabinë Saudite.
Putin: Vendimi i OPEC+ për stabilizimin e tregut të energjisë
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se vendimi i fundit nga vendet e OPEC+ për reduktimin e prodhimit të naftës ishte marrë për stabilizimin e tregut të energjisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në një takim në Shën Petersburg me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Mohamed bin Zayed Al Nahyan, presidenti Putin tha se veprimet e OPEC+ nuk ishin kundër askujt.
“Veprimet tona kanë për qëllim krijimin e stabilitetit në tregjet globale të energjisë, ashtu që konsumatorët e burimeve energjetike dhe ata që merren me nxjerrjen e naftës, furnizuesit e tregjeve botërore, të ndjehen të qetë, të qëndrueshëm dhe të sigurt, në mënyrë që oferta dhe konsumi të jenë të balancuara", tha Putin.
Kontaktet midis EBA-së dhe Rusisë janë zhvilluar gjatë 50 viteve të lidhjes diplomatike, tha Putin, duke shtuar se pavarësisht vështirësive të situatës aktuale globale, lidhjet e tyre shërbyen si faktor stabilizues në rajon dhe në botë.