Australia arrin marrëveshjen më të madhe në mbrojtje me Gjermaninë

Australia arrin marrëveshjen më të madhe në mbrojtje me Gjermaninë

Marrëveshja e Australisë me Gjermaninë ka të bëjë me furnizimin me automjete të blinduara.
Australia arrin marrëveshjen më të madhe në mbrojtje me Gjermaninë/      Foto: AA

Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, njoftoi se vend i tij ka arritur marrëveshjen më të madhe të eksportit në fushën e mbrojtjes deri më tani prej mbi 664,5 milionë dollarë.

Marrëveshja është arritur me Gjermaninë dhe ka të bëjë me furnizimin me automjete të blinduara.

Në një deklaratë të përbashkët me ministrin e Mbrojtjes Richard Marles, kryeministri Albanese tha se sipas marrëveshjes, Australia do të furnizojë 100 automjete "Boxer Heavy Weapon Carrier" të ndërtuara nga Rheinmetall në Qendrën e Përsosmërisë së Veturave Ushtarake në Redbank, Queensland, për përdorim nga Ushtria Gjermane.

Vitin e kaluar, të dyja vendet nënshkruan marrëveshjen gjatë vizitës së kryeministrit Albanese në Berlin dhe tani parlamenti gjerman e ka miratuar atë.

Muajin e kaluar, Australia njoftoi gjithashtu se po ndërtonte marinën më të madhe të saj që nga Lufta e Dytë Botërore, teksa shpenzoi mbi 7 miliardë dollarë për të dyfishuar madhësinë e flotës së saj të anijeve të mëdha luftarake dhe për të modernizuar marinën.

Në vitin 2021, Australia, ShBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar njoftuan formimin e AUKUS-it, një traktat trepalësh sigurie për rajonin Indo-Paqësor. Traktati është menduar kryesisht si kundërpërgjigje për Kinën, e cila ka rritur praninë në rajon.

Marsin e kaluar, ish-kryeministri Paul Keating kritikoi qeverinë e drejtuar nga Albanese mbi marrëveshjen AUKUS, duke pretenduar se ishte menduar të furnizonte nëndetëset bërthamore të ShBA-së për operacione të përbashkëta kundër Kinës.

AA