Azerbajxhan, fillon votimi për zgjedhjet presidenciale. / Photo: AA

Qytetarët e Azerbajxhanit sot votojnë për zgjedhjet presidenciale, të cilat për herë të parë po zhvillohen edhe në territoret që ishin të pushtuara nga Armenia për më shumë se 30 vjet.

Më shumë se 6.500 qendra votimi, përfshirë jashtë vendit, u hapën në orën 8 të mëngjesit me orën lokale ndërsa votimi do të vazhdojë deri në orën 19:00 me kohën lokale.

Rreth 800 vëzhgues të huaj dhe 90 mijë vëzhgues vendas nga organizata dhe vende ndërkombëtare po monitorojnë zgjedhjet si dhe mediat vendase dhe rreth 200 gazetarë të huaj.

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, zonja e parë Mehriban Aliyeva dhe familjarët e tyre votuan në qendrën e votimit nr. 14 në qytetin Khankendi.

Në zgjedhjet presidenciale garojnë shtatë kandidatë, përfshirë kreun aktual të shtetit Ilham Aliyev.

Aliyev u nominua nga Partia Yeni Azerbajxhan (EPA). Gjashtë kandidatë të tjerë janë kryetari i Partisë së Frontit Kombëtar Razi Nurullaev, kreu i Partisë së Krijimit të Madh Fazil Mustafa, kryetari i Partisë së Madhe të Azerbajxhanit Elshad Musayev, kreu i partisë Fronti Popullor i Gjithë Azerbajxhanit Gudrat Hasanguliyev dhe kandidatët e pavarur Zahid Oruch dhe Fuad Aliyev.

Zgjedhjet e fundit presidenciale në Azerbajxhan (të cilat mbahen çdo shtatë vjet), u mbajtën më 11 prill 2018. Nëpërmjet një dekreti të nënshkruar nga Aliyev, zgjedhjet presidenciale të planifikuara për në tetor 2025 u vendos të mbahen më herët.

Qendrat e votimit janë hapur edhe në zonat e çliruara nga Azerbajxhani nga pushtimi armen në 2020-2023. Pra, për herë të parë në 30 vjet, zgjedhjet presidenciale po zhvillohen në gjithë territorin e Azerbajxhanit.

Më shumë se 22 mijë votues do të votojnë në qytetin Shusha, "perla" e Karabakut, në Khankendi, Koxhali, Koxhavand, Agder, Aghdam, Xhabrail, Fuzuli, Zangilan, Gubadli, Laçin dhe Kelbaxhar.

TRT Balkan / agjencitë