Bajrami i Kurbanit: Çfarë është Festa e Sakrificës?     /Foto: Reuters

Bajrami i Kurbanit, ose “Festa e Sakrificës”, është afër dhe myslimanët anembanë globit po përgatiten për një nga datat më të rëndësishme të Islamit.

Është festa e dytë e madhe për myslimanët pas Fitër Bajramit, ajo e cila festohet në fund të Ramazanit, muajit të bekuar të agjërimit.

Bajrami i Kurbanit zhvillohet ndërmjet ditës së 10-të dhe të 13-të të muajit islamik Dhul Hixhe, gjersa Haxhi – pelegrinazhi i shenjtë që është shtylla e pestë dhe e fundit e Islamit – përfundon në Arabinë Saudite.

Festimet e Bajramit të Kurbanit në shumicën e vendeve këtë vit fillojnë të mërkurën dhe një ditë më vonë në disa vende si Pakistani dhe India.

Origjina e Bajramit të Kurbanit

Narrativa islame thotë se Profeti Ibrahim, paraardhësi i feve monoteiste të Islamit, Krishterimit dhe Judaizmit, mori nëpërmjet ëndrrave të tij një urdhër nga Zoti për të sakrifikuar djalin e tij Ismailin.

Ibrahimi dhe Ismaili iu nënshtruan vullnetit të Zotit dhe ishin gati për sakrificën si një akt besimi dhe bindjeje.

Djalli – i njohur si “Iblisi” në Islam – u përpoq ta largonte Ibrahimin nga zbatimi i urdhrit dhe profeti rrjedhimisht e gjuajti me gurë për ta përzënë.

Ky akt është përkujtuar nga myslimanët si një rit i Haxhit, ku ata hedhin guralecë mbi shtyllat simbolike në qytetin e Minas.

Duke parë bindjen e Ibrahimit dhe Ismailit, Zoti zbriti një qengj nga qielli për kurban, sipas traditës islame.

Një version i ngjashëm i historisë përmendet edhe në Krishterim dhe Judaizëm.

Myslimanët në mbarë botën festojnë Bajramin e Kurbanit për të nderuar përkushtimin e Ibrahimit dhe Ismailit.

Flijimi simbolik i bagëtive është pjesë e ritualeve të lidhura me festën, por nuk është obligim në Islam, por një akt që inkurajohet.

Rëndësia e Bajramit të Kurbanit

Bajrami i Kurbanit ka qenë historikisht një festë dhurimi. Në Islam ka një theks të madh te bamirësia, ku Zekati, praktika myslimane e dhënies së lëmoshës, është një nga pesë shtyllat e fesë.

Në Bajramin e Kurbanit myslimanëve u jepet një mundësi tjetër për bamirësi. Mishi i çdo kafshe të flijuar ndahet me të varfrit, së bashku me anëtarët e familjes dhe miqtë.

Individët mund të sakrifikojnë një dele, dhi ose qengj vetë, ndërsa një lopë ose deve mund të ndajnë shtatë persona. Ka edhe rregulla strikte kur bëhet fjalë për kafshët, pasi ndalohet flijimi i kafshëve të sëmura, të paafta a të plagosura. Islami gjithashtu kërkon që therja të jetë minimalisht e dhimbshme për kafshën.

Shumë myslimanë gjithashtu zgjedhin të paguajnë vlerën e një kafshe te organizatat bamirëse që shpërndajnë mish për njerëzit në mbarë botën, veçanërisht në zonat që dihet se kanë më shumë nevojë.

Lidhja me Haxhin

Bajrami i Kurbanit dhe Haxhi janë gjithashtu thellësisht të ndërthurura. Miliona myslimanë që kryejnë pelegrinazhin bëjnë kurban një kafshë në ditën e tretë të Haxhit.

Pas sakrificës, ata i shkurtojnë flokët ose i rruajnë kokën dhe i ndërrojnë "ihramin" e pelegrinit, rrobat e veshura posaçërisht për Haxhin për të simbolizuar një gjendje pastërtie dhe heqje dorë nga materializmi dhe për të anuluar dallimet e pasurisë dhe statusit.

Gjatë ditëve në vijim, ata kryejnë "tavafin", kur pelegrinët rrethojnë Qaben, të cilën myslimanët e konsiderojnë shtëpinë e Zotit të ndërtuar nga Profeti Ibrahim dhe Ismaili.

Ata gjithashtu ribëjnë ritualin e njohur si "sai", duke ecur ose vrapuar shtatë herë midis kodrave Safa dhe Merva, përpara se të kthehen për të gjuajtur me gurë tri shtyllat që përfaqësojnë djallin.

Së fundmi, ata bëjnë një tavaf lamtumire për të përfunduar Haxhin e tyre para se të largohen nga Meka për në vendlindjet e tyre.

TRT Balkan / agjencitë