Thuajse në të gjitha rastet e mbylljes së xhamive, përfaqësuesit e xhamive thonë se qeveria franceze ka dorëzuar dëshmi publike joadekuate rreth bazës për mbylljen e tyre    Foto: AA

Franca ka nisur procesin për mbylljen e xhamisë Obernai në rajonin Bas-Rhin. Por, kjo nuk është hera e parë që bën një gjë të tillë.
Që nga viti 2020, janë raportuar të paktën 23 mbyllje të xhamive gjithandej vendit, që cilësohen si akte direkte kundër myslimanëve francezë, të cilët përbëjnë 6 për qind të popullsisë së përgjithshme.

Ministri i brendshëm francez Gerald Darmanin publikoi në Twitter se “Me kërkesë të Presidentit të Republikës, vazhdon lufta kundër separatizmit islamik. Në dy vitet e kaluara, janë mbyllur 23 objekte fetare të separatistëve”.

Ky sentiment antiislamik në rritje gjithandej spektrit politik të Francës ka qenë arsye shqetësimi për aktivistët dhe organizatat për të drejtat e njeriut.
Thuajse në të gjitha rastet e mbylljes së xhamive, përfaqësuesit e xhamive thonë se qeveria franceze ka dorëzuar dëshmi publike joadekuate rreth bazës për mbylljen e tyre.
Një raport i Reuters më herët gjatë vitit flet për atë se si autorizimet e gjera i japin “kartë blanko” autoriteteve për të mbyllur objektet fetare pa hetime adekuate dhe me procedura aq jotransparente sa që rastet e mbylljes së këtyre objekteve nuk mund të rikthehen. Kjo është nënvizuar edhe nga aktivistë për të drejtat e njeriut, organizata ndërkombëtare – përfshirë Kombet e Bashkuara – dhe anëtarë të komunitetit mysliman.
“Është si në romanet e Kafkës”, thotë për agjencinë e lajmeve Reuters Fionnuala Ni Aolain, raportuese speciale e OKB-së për të drejtat e njeriut gjatë luftimit të terrorizmit, derisa flet për procedurat ligjore në rastet e tilla, e ku ndonjëherë përfshihen dëshmi pa e zbuluar burimin.
“Flirtimi me dëshmi sekrete në vetvete është shqetësuese, por gjithashtu shkel dispozitat e traktateve ndërkombëtare që kanë të bëjnë me të drejtën e gjykimit të drejtë dhe barazisë para ligjit”.
Ligji kontrovers anti-separatist
Kur autoritetet franceze vendosën mbylljen e xhamisë Obernai, ata cituan se hoxha ose imami i kësaj xhamie është i “radikalizuar”, duke akuzuar më tej personin për zhvillimin e “aktiviteteve radikale të ligjëratave, mbajtjen e qëndrimit armiqësor ndaj shoqërisë franceze dhe komente negative kundër vlerave të Republikës”.
Është ligji kontrovers antiseparatist që u lejon autoriteteve dorën e lirë në targetimin e myslimanëve francezë, duke përdorur konceptin e shumë kritikuar të “separatizmit”.
Jeta e myslimanëve francezë është nën kontroll të rreptë që nga implementimi i ligjit, i cili është kritikuar nga shumë mbikëqyrës, përfshirë edhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut, akademikë dhe aktivistë.
Kritikët e ligjit e quajnë atë “restriktiv dhe represiv” për nga natyra.
Gjithashtu, Raporti i sapopublikuar Evropian i Islamofobisë 2021, përmend në konluzat ekzekutive për situatën me sentimentin anti-islam në Francë se “ky ligj, që duhej të ishte përgjigje e fortë kundër ‘terrorizmit’ dhe ‘islamit radikal’, në fakt ka provokuar shpërthimin e dhunës ndaj jetës publike dhe organizimin e myslimanëve.
“Më së shumti i prek myslimanët publikë duke e zgjeruar ndalimin e bartjes së simboleve fetare në shumë hapësira të tjera dhe duke kriminalizuar çdo përpjekje për organizimin e pavarur të lutjeve islame dhe luftimin e islamofobisë duke hequr mbylljen abuzive”.
Një nga gjetjet kyç në raport thotë se mbyllja arbitrare e xhamive ose shpërbërja e shumë organizimeve islame si shoqata, shkolla, xhami, restorante ose shtëpi botuese shpesh është justifikuar me arsye që nuk bindin.
“Është gjithashtu e rëndësishme të sfidohen qëllimet e qeverisë franceze për të implementuar një legjislaturë që shkon aq larg sa kriminalizon myslimanizmin”, thuhet në raport.
“Islamofobia në Francë është mbi të gjitha rezultat i shtetit, i cili synon të vendosë “Islamin e Francës”, që heq të drejtën e vetëvendosjes nga myslimanët francezë dhe i bën ata ‘Myslimanë pa Islam’”.

TRT World