Në disa bastisje të kryera në Gjermani, janë arrestuar 25 persona të dyshuar për përpjekje për të përmbysur me dhunë qeverinë. Mediat gjermane bëjnë me dije se bëhet fjalë për një grup ekstremistësh të djathtë dhe ish-oficerë të ushtrisë, të cilët planifikonin të hynin në ndërtesën e parlamentit dhe të merrnin pushtetin.
Një burrë i përshkruar si princ dhe i quajtur Heinrich 13 përmendet si personi kyç për planet e tyre. Ai është 71 vjeç. Drejtuesit e dyshuar të grupit janë në mesin e të arrestuarve në 11 shtete gjermane, njoftuan prokurorët federalë.
Ndër komplotistët janë anëtarë të lëvizjes ekstreme Reichburger (qytetarë të Rajhut), të cilët policia gjermane i ka ndjekur për një kohë të gjatë për shkak të sulmeve të dhunshme dhe teorive raciste. Ky grup gjithashtu refuzon të njohë shtetin modern gjerman.
Vlerësohet se rreth 50 burra dhe gra janë në grupin që planifikoi të përmbyste republikën gjermane dhe ta zëvendësonte atë me një shtet të ri të bazuar në Gjermaninë e vitit 1871, ose perandoria e njohur më mirë si Rajhu i Dytë.
Mbështetur në të dhënat e sherbimit sekret të Gjermanisë, kjo organizatë vlerësohet të ketë rreth 21 mijë mbështetës.
"Ne ende nuk kemi një emër për këtë grup," tha një zëdhënëse e zyrës së prokurorisë federale gjermane.
Mbështetur në të dhënat të sherbimit sekret të Gjermanisë, Ministri i Drejtësisë Marco Buschmann njoftoi në Twitter se një "operacion i madh antiterrorist" ishte duke u zhvilluar dhe se të arrestuarit "po planifikonin një sulm të armatosur ndaj organeve kushtetuese". Kryeprokurori tha se grupi kishte planifikuar një grusht shteti të dhunshëm që nga nëntori 2021.
Dy persona janë arrestuar në Austri dhe Itali, raporton agjencia gjermane DPA. Të arrestuarit do të merren në pyetje gjatë ditës.