BE-ja dhe Autoriteti Palestinez bien dakord për pako financiare emergjente

BE-ja dhe Autoriteti Palestinez bien dakord për pako financiare emergjente

Zyrtarët e Unionit deklaruan mbështetje financiare afatshkurtër urgjente prej 435 milion dollarësh.
BE-ja dhe Autoriteti Palestinez bien dakord për pako financiare emergjente / Photo: AA

BE-ja dhe Autoriteti Palestinez ranë dakord të premten për mbështetje financiare urgjente për të adresuar nevojat më urgjente financiare të palestinezëve në mes të luftës së vazhdueshme shkatërruese izraelite në Gaza.

“Komisioni Evropian dhe Autoriteti Palestinez kanë nënshkruar një Letër Synimi e cila përcakton një strategji për adresimin e situatës kritike buxhetore dhe fiskale të Autoritetit Palestinez dhe ekonomisë palestineze, dobësitë strukturore të të cilëve janë përkeqësuar nga pasojat e luftës në Gaza dhe zhvillimet dhe reformat shumë të nevojshme”, tha komisioni në një deklaratë.

Si hap i parë, mbështetja financiare afatshkurtër emergjente, me vlerë 400 milionë euro, do t'i jepet Autoritetit Palestinez për të adresuar nevojat financiare më urgjente dhe për të mbështetur agjendën e tij të rëndësishme dhe të besueshme të reformave.

Mbështetja do të disbursohet në tri pagesa midis korrikut dhe shtatorit 2024, në varësi të progresit në zbatimin e agjendës së reformave të Autoritetit Palestinez.

Si hap i dytë, do të nisë Programi Gjithëpërfshirës për Rimëkëmbjen dhe Qëndrueshmërinë Palestineze dhe do të kërkohet financim nga donatorë të tjerë.

Komisioni ka propozuar ngritjen e një platforme për koordinimin e donatorëve për Palestinën që nga vjeshta 2024, deri në fund të vitit 2026.

Duke komentuar këtë zhvillim, presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, tha: “Së bashku, ne po hedhim bazat për stabilitetin ekonomik dhe politik në Bregun Perëndimor. Dhe ne po vendosim themelet për rindërtimin e Gazës. Ne kemi nevojë për një armëpushim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm. Dhe ne duhet të përgatitemi për të nesërmen.”

Pakon e dakorduar e komentoi edhe shefi i politikës së jashtme i BE-së, Josep Borrell.

"Urgjenca për të rritur mbështetjen tonë për Autoritetin Palestinez nuk ka qenë kurrë kaq e lartë", tha Borrell.

TRT Balkan / agjencitë