Bashkimi Evropian (BE) përkujtoi ata që u vranë në gjenocidin e Srebrenicës dhe deklaroi se gjenocidi i kryer 29 vjet më parë ishte "një nga momentet më të errëta në historinë moderne evropiane".
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë Josep Borrell dhe Komisari i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, bënë një deklaratë të përbashkët me shkrim në 29-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës.
Në deklaratë rikujtohen më shumë se 8.300 meshkuj të vrarë sistematikisht në Srebrenicë dhe thuhet: Gjenocidi që ndodhi 29 vjet më parë është një nga momentet më të errëta në historinë moderne evropiane.
Në deklaratë u bëhet thirrje liderëve rajonalë të "refuzojnë retorikën përçarëse dhe të veprojnë me të vërtetën, drejtësinë, besimin dhe dialogun".
"Për të shëruar plagët e së kaluarës, faktet historike duhet të pranohen dhe të mësohen, viktimat të nderohen dhe të kujtohen, të zhdukurit të identifikohen dhe të gjithë autorët të sillen para drejtësisë. Ky është çelësi për t'u përballur me rrënjët e urrejtjes që çoi në gjenocid. Së bashku duhet të ndërtojmë ura për pajtim. Nuk ka vend mes nesh për ata që mohojnë gjenocidin, përpiqen të rishkruajnë historinë dhe lavdërojnë kriminelët e luftës", thuhet në deklaratë.
Gjithashtu, u kujtua se Këshilli i BE-së vendosi të fillojë negociatat e anëtarësimit me Bosnjën e Hercegovinën në mars, duke shtuar: Kjo është një mundësi e rëndësishme për të bërë përparim në reformat që do të rrisin demokracinë, mirëqenien dhe sigurinë për popullin e Bosnjës e Hercegovinës, si dhe për të sjellë vendin më afër anëtarësimit në BE.