BE-ja i bashkohet ShBA-së në kolacioni kundër Houthive në Detin e Kuq.    /Foto: AA

Bashkimi Evropian (BE) do të kontribuojë në një koalicion detar të udhëhequr nga ShBA-ja për sigurinë në Detin e Kuq mes sulmeve të vazhdueshme të rebelëve Houthi ndaj anijeve tregtare.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, në platformën sociale X njoftoi se në takimin e jashtëzakonshëm të Komitetit Politik dhe Sigurisë (PSC), vendet anëtare të BE-së ranë dakord të kontribuojnë në operacionin e SHBA-së “Mbrojtësi i Prosperitetit”.

Borrell tha se BE-ja do të intensifikojë shkëmbimin e informacionit dhe do të rrisë “praninë e saj me mjete shtesë detare”.

Në fillim të kësaj jave, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, njoftoi krijimin e një task force detare shumëkombëshe për të kundërshtuar sulmet e rebelëve Houthi ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq.

Sipas njoftimit të ShBA-së, deri më tani vendet e NATO-s, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Franca, Italia, Norvegjia dhe Holanda u zotuan për mbështetje për operacionin “Mbrojtësi i Prosperitetit” për të mbrojtur anijet tregtare që kalojnë tranzit midis Azisë dhe Evropës.

Rebelët Houthi të mbështetur nga Irani në Jemen kanë rritur ndjeshëm përfshirjen e tyre në konfliktin aktual në Rripin e Gazës duke vënë në shënjestër anijet në jug të Detit të Kuq, duke deklaruar se masa vjen në solidaritet me “rezistencën palestineze në Rripin e Gazës”.

Deti i Kuq është një nga rrugët detare më të përdorura në botë për dërgesat e naftës dhe karburantit.

TRT Balkan / agjencitë