Në një luftë tregtare midis ShBA-së dhe Evropës, nuk do të kishte asnjë fitues, tha të hënën shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas.
Të dielën, presidenti i ShBA-së Donald Trump u tha gazetarëve se tarifat e reja për mallrat e BE-së “do të ndodhin patjetër” dhe mund të vijnë “shumë shpejt”.
"Ne po i dëgjonim me kujdes ato fjalë dhe sigurisht, po përgatitemi edhe nga ana jonë," u tha Kallas gazetarëve përpara një samiti jozyrtar të liderëve të BE-së për mbrojtjen në Bruksel.
Ajo theksoi varësinë e ndësjelltë midis ShBA-së dhe BE-së, duke paralajmëruar se nga një luftë tregtare, do të përfitonte Kina përfundimisht.
"Nëse ShBA-ja fillon luftën tregtare, atëherë ajo që qesh nga anash është Kina. Ne jemi shumë të ndërlidhur. Ne kemi nevojë për Amerikën, dhe Amerika gjithashtu ka nevojë për ne," shtoi ajo.
Shqetësimet për luftërat e mundshme tregtare
Kthimi i Trumpit në presidencë ka ringjallur shqetësimet për luftërat e mundshme tregtare midis ShBA-së dhe BE-së.
Administrata Trump, raportohet se po konsideron vendosjen e tarifave që variojnë nga 10% në 20% për të gjitha importet e BE-së dhe deri në 100% për automobilat, duke përmendur nevojën për të mbrojtur vendet e punës amerikane dhe për të adresuar praktikat e "tregtisë së padrejtë" nga Evropa.
Vendimi i tij të shtunën për të vendosur një tarifë 25% për importet nga Kanadaja dhe Meksika dhe një tarifë 10% për mallrat kineze tani ka kthyer vëmendjen ndaj asaj që do të ndodhë në Evropë.
Ndërsa ka spekulime se BE-ja mund të hakmerret me rritjen e tarifave të veta, struktura e fragmentuar politike e bllokut pritet të komplikojë një përgjigje të unifikuar.