Zëdhënësja e Komisionit Evropian për Marrëdhëniet e Jashtme, Anitta Hipper, tha se BE-ja pret që administrata e re e Donald Trumpit në ShBA ta shohë luftën në Ukrainë si kërcënim jo vetëm për Evropën, por edhe për rendin ndërkombëtar dhe ta ndalë agresionin e Rusisë.
Zëdhënësja e KE-së, Hipper, iu përgjigj pyetjes së gazetarit të AA-së në konferencën për media nëse ka apo jo BE-ja një plan për skenarin nëse administrata e Trumpit e cila do të fillojë në ShBA më 20 janar, ndërpret mbështetjen për Ukrainën.
Pasi iu kujtuan deklaratat e bëra nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, të cilat u pasqyruan në media në kuadër të takimit të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës dje në Gjermani se "nëse ShBA-ja nuk është e gatshme, BE-ja është gati ta marrë drejtimin në mbështetjen e Ukrainës", Hipper tha se "Përfaqësuesja e Lartë tha se ShBA-ja është partneri kryesor i BE-së".
Ajo shtoi se Kallas ka thënë se "Ne kemi besim se administrata e ardhshme amerikane do ta shohë agresionin e Rusisë në Ukrainë jo vetëm si kërcënim për Evropën, por edhe si një sfidë për rendin ndërkombëtar. Kjo luftë mund të përfundojë nesër, madje edhe sot nëse agresori dëshiron. Nëse aleatët tanë mund t'i japin fund këtij agresioni, kjo do të ishte shumë e mirëseardhur".
Në Bruksel mbizotëron një pritje me ankth për mandatin e dytë të Trumpit, i cili do të fillojë më 20 janar.
Mandati i parë i Trumpit u bë skenë e tensioneve serioze në marrëdhëniet me BE-në dhe vendet e saj anëtare në shumë fusha, që nga ekonomia e deri te mbrojtja.
Vendimi i Trumpit për ndërprerjen e mbështetjes së ShBA-ja e cila ka qenë forca lëvizëse (lokomotiva) në mbështetjen e Ukrainës dhe sinjalet e tij se ai nuk do të mbronte aleatët e NATO-s që nuk po shpenzonin mjaftueshëm për mbrojtjen kundër një sulmi rus, bënë jehonë në Bruksel.
Administrata e BE-së para dhe pas zgjedhjeve ka dhënë mesazhe duke theksuar rëndësinë që i kushton marrëdhënieve me ShBA-në, ndërkohë në anën tjetër ajo po përpiqet të përgatitet për skenarin më të keq.