Presidenti amerikan, Joe Biden, u zotua se do të vazhdojë t'i ofrojë Ukrainës armët që i nevojiten për t'u mbrojtur nga sulmet ruse, duke përfshirë sistemet e avancuara të mbrojtjes ajrore, pas sulmeve masive të Rusisë.
Biden "dënoi sulmet raketore të Rusisë në të gjithë Ukrainën, përfshirë në Kiev, dhe përcolli ngushëllimet e tij për të dashurit e atyre që u vranë dhe u plagosën në këto sulme të pakuptimta", gjatë një bisede telefonike me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, tha Shtëpia e Bardhë.
"Presidenti Biden u zotua të vazhdojë t'i ofrojë Ukrainës mbështetjen e nevojshme për t'u mbrojtur, duke përfshirë sistemet e avancuara të mbrojtjes ajrore", thuhet në një deklaratë.
"Ai gjithashtu theksoi angazhimin e tij të vazhdueshëm me aleatët dhe partnerët për të vazhduar imponimin e kostove ndaj Rusisë, duke e mbajtur Rusinë përgjegjëse për krimet e saj të luftës dhe mizoritë e saj dhe duke i ofruar Ukrainës ndihmë sigurie, ekonomike dhe humanitare", shtoi deklarata.
Zelenskyy veçmas tha se sistemet kundër ajrore janë "prioriteti numër një i Kievit në bashkëpunimin tonë të mbrojtjes" me SHBA-në.
Numri i të vdekurve nga sulmet ruse në të gjithë Ukrainën u rrit në 11 dhe dhjetëra të tjerë u plagosën të hënën, njoftuan autoritetet. Rreth 64 persona u plagosën gjatë bombardimeve, sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës.
Shpërthime të shumta u raportuan në qytetet ukrainase Odesa, Zhytomyr, Khmelnytsky, Dnipro, Lviv, Ternopil dhe Kiev, një ditë pasi presidenti rus Vladimir Putin akuzoi inteligjencën ukrainase për kryerjen, e siç e quajti "sulmit terrorist" në urën e Kerçit, që lidh Rusinë me Krimenë.