Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) Joe Biden njoftoi një vizitë historike në pyllin tropikal të Amazonës si pjesë e një turneu në Amerikën e Jugut, që do të jetë hera e parë që presidenti aktual i ShBA-së e viziton atë rajon.
"Presidenti Biden do ta vizitojë pyllin tropikal, do të flasë me liderët lokalë që po punojnë për të ruajtur dhe mbrojtur këtë ekosistem me rendësi", tha këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan.
Turneu i Biden në Amerikën e Jugut do të fillojë me një vizitë në Peru për samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), ku ai dëshiron ta nxjerrë në pah rolin udhëheqës të Amerikës në Indo-Paqësorin.
"Gjatë katër viteve të fundit, ai ka përmirësuar ndjeshëm pozicionin tonë strategjik në këtë rajon jetik”, tha Sullivan.
Pas APEC-ut, Biden do të udhëtojë në Brazil, duke filluar me një vizitë në pyllin tropikal të Amazonës në Manaus.
"Kjo do të jetë vizita e parë e një presidenti në detyrë të ShBA në Amazon”, tha Sullivan, duke vënë në dukje se vizita nënvizon angazhimin personal dhe kombëtar të Biden për trajtimin e ndryshimeve klimatike.
Udhëtimi do të përfundojë me pjesëmarrjen e Bidenit në samitin G20 në Rio de Zhaneiro më 18 dhe 19 nëntor.