Biden: Raketat në Poloni mund të mos jenë hedhur nga Rusia.     Foto: Reuters

Presidenti amerikan tha se Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të NATO-s do të bëjnë hetime të plota përpara se të veprojnë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka deklaruar se raketat që vranë dy persona në Poloni mund të mos jenë hedhur nga Rusia.

Biden tha se ka informacion paraprak që e kundërshton mundësinë që raketat që ranë të martën në Poloni mund të kenë ardhur nga Rusia.

“Ka informacion paraprak që e kundërshton këtë. Nuk dua ta them këtë derisa ta hetojmë plotësisht, por nuk ka gjasa në linjën e trajektores që të jenë hedhur nga Rusia. Por, do të shohim”, ka thënë ai.

Presidenti amerikan tha se Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të NATO-s do të bëjnë hetime të plota përpara se të veprojnë.

Shpërthimi i djeshëm në Poloni ndodhi pasi Rusia sulmoi me raketa disa qytete të Ukrainës, pak ditë pas tërheqjes nga Khersoni.

Kjo nxiti reagime të shumta nga vende të ndryshme të botës, duke dënuar sulmin.

Ministria e Jashtme e Polonisë tha se raketat ranë në Przewodow - rreth 6 kilometra nga kufiri me Ukrainën.

Rusia mohoi se është përgjegjëse për shpërthimin, ndonëse zyrtarët polakë thanë se raketat ishin prodhim rus.





Kosova Press