Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka bërë thirrje për vetëpërmbajtje pas shpërthimeve të koordinuara të pajisjeve pejxher që vranë të paktën 12 persona dhe plagosën afro 2.800 të tjerë në Liban.
Duke folur në një konferencë për media në Kajro, Blinken theksoi nevojën për të "shmangur marrjen e hapave që mund të përshkallëzojnë më tej konfliktin" midis Izraelit dhe grupit Hezbollah.
Kryediplomati amerikan tha se ShBA-ja po mbledh ende informacion mbi atë që ndodhi në Liban, duke shtuar se "është e rëndësishme të kuptohet plotësisht se çfarë ndodhi atje".
Dje, pajisjet pejxher shpërthyen në disa zona në Liban, përfshirë kryeqytetin Bejrut, për çka është akuzuar Izraeli.
Burimet libaneze të sigurisë thanë se agjencia izraelite e spiunazhit Mossad vendosi eksplozivë brenda pajisjeve të përdorura nga anëtarët e Hezbollahut disa muaj më herët.
Në pajisje "ishte montuara disa gramë eksploziv i vështirë për t'u zbuluar, të vendosura në bateri në një mënyrë që siguron që ato nuk mund të zbulohen nga sensorë ose ndonjë mjet për zbulimin e eksplozivëve", tha për Anadolu Mounir Shehada, ish-koordinator i qeverisë libaneze me Misionin paqeruajtës të OKB-së (UNIFIL).
Ambasadori libanez në Kombet e Bashkuara, Hadi Hachem, i quajti shpërthimet "agresion që çon në një krim lufte" dhe paralajmëroi se do të përkeqësonte konfliktin.
Nuk pati asnjë koment nga Izraeli për shpërthimet, por Hezbollahu u zotua të hakmerret.
Shpërthimi masiv i pajisjeve pejxher ndodh në kohën kur midis Hezbollahut dhe Izraelit ndodhin shkëmbime të sulmeve ndërkufitare në sfondin e një ofensive brutale izraelite në Rripin e Gazës, ku ka vrarë më shumë se 41.270 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, pas një sulmi të Hamasit më 7 tetor të vitit të kaluar.