Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell, bëri thirrje të hënën që të respektohet vullneti i popullit të Venezuelës që rizgjodhi Nicolas Maduro si president në zgjedhjet e fundit.
"Populli i Venezuelës votoi në mënyrë paqësore dhe në numër të madh për të ardhmen e vendit të tyre. Vullneti i tyre duhet respektuar. Sigurimi i transparencës së plotë në procesin zgjedhor, duke përfshirë numërimin e detajuar të votave dhe qasjen në të dhënat e votimit në qendrat e votimit, është jetike", shkruan kryediplomati i BE-së, Borrell në platformë X.
Nicolas Maduro (61) u shpall fitues i zgjedhjeve presidenciale në Venezuelë, duke siguruar 51 për qind të votave kundrejt 44 për qind të liderit të opozitës Edmund Gonzalez, njoftoi Këshilli Kombëtar Zgjedhor (CNE).
Në fjalimin e tij të fitores, Maduro tha se do të sillte paqe dhe përsëriti se fashizmi "nuk do të ndodhë" në vend.
“Zëri i paqes ka triumfuar dhe në Venezuelë do të ketë paqe për vendin tonë”, tha Maduro.
Opozita hodhi poshtë rezultatet e zgjedhjeve të shpallura nga CNE-ja, duke pretenduar se ishin të rreme.