Bota kundër Izraelit për sulmin tokësor në Rafah. / Foto: AA

Paralajmërimet e autoriteteve izraelite për fillimin e një sulmi tokësor në qytetin e Rafahut, në jug të Gazës kanë ngjallur reagime të shumta nga e gjithë bota. Përveç organizatave të ndryshme ndërkombëtare të cilat kanë bërë thirrje që Izraeli të mos ndërmarrë aksione ushtarake kundrejt Rafahut, ku po strehohen mbi 1,4 milion palestinezë të zhvendosur, kanë reaguar edhe shumë shtete.

Türkiye është "shumë e shqetësuar" për sulmet e Izraelit në Rafah

Türkiye deklaroi se është shumë e shqetësuar për sulmet në rritje të Izraelit në qytetin jugor Rafah, pas shkatërrimeve dhe masakrave që ka kryer deri tani në Rripin e Gazës.

Ministria e Punëve të Jashtme e Türkiyes publikoi një deklaratë me shkrim lidhur me sulmet e Izraelit në Rafah, ku thuhet se ky operacion është konsideruar si pjesë e planit për dëbimin e banorëve të Gazës nga trojet e tyre.

"Ne jemi shumë të shqetësuar për sulmet në rritje të Izraelit në qytetin jugor të Rafahut, pas shkatërrimeve dhe masakrave që ka shkaktuar në Rripin e Gazës deri më tani", thuhet në deklaratë.

Në deklaratë theksohet se sulmet e vazhdueshme do ta çojnë tragjedinë humanitare në Gaza në nivele edhe më serioze dhe do të dëmtojnë përpjekjet për të siguruar një armëpushim të përhershëm në rajon dhe thuhet: “I bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB), të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të ndaluar Izraelin”.

Kina thirrje Izraelit të ndërpresë të gjitha operacionet ushtarake në Rafah

Kina i kërkoi Izraelit që t'i ndërpresë të gjitha operacionet ushtarake pasi sulmet në qytetin jugor të Rripit të Gazës, Rafah, morën dhjetëra jetë në enklavën e rrethuar palestineze.

Pekini "i bën thirrje Izraelit të ndërpresë të gjitha operacionet ushtarake sa më shpejt të jetë e mundur, të bëjë gjithçka që është e mundur për të shmangur viktimat në mesin e civilëve të pafajshëm dhe për të parandaluar përkeqësimin e fatkeqësisë shkatërruese humanitare në Rafah", thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme.

Deklarata shton se Kina "kundërshton dhe dënon" veprimet që dëmtojnë civilët dhe shkelin ligjin ndërkombëtar.

Franca thellësisht e shqetësuar nga sulmet e Izraelit kundër qytetit Rafah

Franca ka shprehur shqetësim të thellë nga sulmet izraelite kundër qytetit Rafah të Rripit të Gazës në të cilin janë strehuar më shumë se 1 milion palestinezë.

Në një deklaratë nga Ministria e Jashtme e Francës thuhet se qyteti Rafah i Gazës në kufi me Egjiptin është një "pikë kalimi jetik" për dërgimin e ndihmave humanitare për popullatën e rajonit dhe një zonë ku janë strehuar mbi 1,3 milion palestinezë.

Në deklaratë vihet në dukje se operacionet me përmasa të gjera të Izraelit kundër Rafah do ta çojnë katastrofën aktuale humanitare në një dimension të ri. Në deklaratë tërhiqet vëmendja se kjo do të krijojë situatë jolegjitime dhe bëhet thirrje për ndalimin e konfliktit.

Borrell përsërit paralajmërimin e tij lidhur me sulmin e Izraelit ndaj qytetit Rafah

Përfaqësuesi i Lartë të Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, paralajmëroi se sulmi i Izraelit ndaj qytetit Rafah ku janë strehuar civilët në jug të Gazës "do të shkaktojë katastrofë humanitare të papërshkrueshme".

"Përsëris paralajmërimin e shumë vendeve anëtare të BE-së, se sulmi i Izraelit ndaj Rafah do të shkaktojë katastrofë humanitare të papërshkrueshme dhe tensione serioze me Egjiptin", deklaroi Borrell përmes një deklarate nga llogaria e tij X.

Ai theksoi se rifillimi i negociatave është rruga e vetme për të penguar gjakderdhjen. Gjithashtu, edhe dje Borrell paralajmëroi se sulmi i Izraelit ndaj qytetit Rafah ku janë strehuar civilët në jug të Gazës "do të shkaktojnë pasoja katastrofike".

TRT Balkan / agjencitë