Dhjetëra mijëra mësues, staf i universiteteve dhe pedagogë, shoferë treni dhe nëpunës të tjerë civilë nga fusha të ndryshme iu bashkuan grevës kombëtare në Britaninë e Madhe.
Greva të mëparshme të kësaj përmase u zhvilluan në vitin 2011, kur më shumë se një milion punonjës protestuan lidhur me mosmarrëveshjet për pagat.
Sindikata Kombëtare e Arsimit ka njoftuar se rreth 300 mijë mësues vetëm në Angli janë në grevë pasi pagat e tyre reale pësuan rënie me të paktën 23 për qind që nga viti 2010. Mësuesit kërkojnë një rritje pagash më të lartë se norma e inflacionit në vend.
Kongresi i Sindikatave (TUC), i cili përfaqëson të gjitha sindikatat në vend, ka paralajmëruar tubime në gjithë Britaninë.
Shumica pritet t'u bashkohen demonstratave kombëtare kundër projektligjit të qeverisë kundër grevës, i cili u miratua dje në dhomën e ulët të parlamentit britanik.
Projektligji vendos kufizime për grevën në sektorë të caktuar, pasi qeveria edhe pse mbështet të drejtën e grevës, mendon se ato duhet të kenë parasysh interesin e publikut.
Refuzimi për të punuar në një ditë greve, sipas ligjit të ri, mund të çojë në shkarkimin e punëtorëve, gjë që sindikatat thonë se është jodemokratike, e papërshtatshme dhe e paligjshme.