Britani, shumë spitale shpallën "situatë kritike"        / Foto: AA

Shumë spitale në Britani të Madhe kanë shpallur "situatë kritike" për shkak të presionit të shkaktuar nga shtimi i rasteve të gripit dhe sëmundjeve të tjera të frymëmarrjes.

Spitali Universitar "Royal Liverpool" dhe Spitalet Universitare të Birminghamit janë bërë institucionet më të fundit të Shërbimit Shëndetësor Kombëtar (NHS) që kanë njoftuar "situatë kritike" për shkak të "kërkesës jashtëzakonisht të lartë" për shërbimet e urgjencës.

Pacientët janë paralajmëruar të përdorin shërbime alternative shëndetësore.

Drejtori i Spitalit Universitar të Liverpoolit, Oliver Zuzan, deklaroi se mjekët po punojnë shumë për t’i trajtuar pacientët sa më shpejt që të jetë e mundur, por disa njerëz do të duhet të presin më gjatë sepse pacientët më urgjentë janë prioritet.

"Nëse gjendja juaj nuk është urgjente, përdorni shërbime të tjera si mjeku juaj amë, farmacitë lokale ose qendrat e trajtimit ambulator", tha Zuzan.

Një paralajmërim ka pasur gjithashtu në faqen e internetit të Spitaleve Universitare të Birminghamit se shërbimet e urgjencës aktualisht janë "shumë të ngarkuara".

Spitalet Hampshire dhe Spitalet Universitare Plymouth deklaruan një "situatë kritike" me paralajmërime të ngjashme, duke tërhequr vëmendjen për presionin në rritje ndaj shërbimeve të urgjencës.

Në deklaratën e NHS-së javën e kaluar, ishte bërë e ditur se numri i pacientëve të shtruar në spital për shkak të gripit është katërfishuar, duke arritur në mbi 5 mijë para Vitit të Ri.

TRT Balkan / agjencitë