Ekipi i Agjencisë Anadolu në kryeqytetin Damask filmoi përpjekjet e ekipeve të Mbrojtjes Civile Siriane, të njohura si Helmetat e Bardha për të arritur në ndarjet sekrete të burgut Sednaya.
Në Siri po hetohen pretendimet për ndarje të fshehta në burgun Sednaya, i cili përshkruhet si qendra e torturës së regjimit të rrëzuar të Bashar Asadit.
Ekipi i Agjencisë Anadolu në kryeqytetin Damask filmoi përpjekjet e ekipeve të Mbrojtjes Civile Siriane, të njohura si Helmetat e Bardha për të arritur në ndarjet sekrete të Sednaya.
Vlerësohet se burgu i njohur si bazë torture në Siri, përbëhet nga më shumë se një kat nëntokë. Ekipet që punojnë pa pushim po përpiqen të kalojnë në katet e poshtme.
"Duhet të hapen dyert elektronike të kateve nëntokësore"
Mbrojtja Civile Siriane njoftoi se ka kaluar në veprim për të hetuar deklaratat e të mbijetuarve të burgut se ka njerëz që mbahen edhe në qelitë e nëndheshme të burgut Sednaya, i cili identifikohet me regjimin e rrëzuar të Asadit në Damask dhe që njihet për torturat e tij.
Kreu i Helmetave të Bardha, Raid Salih, në një deklaratë nga X theksoi se në Sednaya janë dërguar pesë ekipe ekspertësh të ndërhyrjes urgjente dhe se këto ekipe ndihmohen nga dy udhërrëfyes që kanë njohuri për burgun.
Bëhet e ditur se përpjekjet vazhdojnë për shpëtimin e të burgosurve të cilët pothuajse po mbyten për shkak të mungesës së ajrosjes dhe se duhet të hapen dyert elektronike të kateve nëntokësore për të liruar të burgosurit që mund të shihen në kamerat e sigurisë.
Autoritetet në rajon u bënë thirrje ish-ushtarëve të regjimit të rrëzuar dhe personelit të burgjeve që të japin fjalëkalimet e dyerve.
Në pritje për t'u ekzekutuar gjatë ditës
Në pamjet në mediat sociale dhe disa burime të lajmeve paraqiten protestuesit që bastisën burgun Sednaya dhe ata që shpëtuan nga burgu. Në mesin e atyre që u liruan, kishte edhe fëmijë të vegjël që u mbajtën me nënat e tyre.
Në disa prej pamjeve vërehet se ish-të burgosurit nuk mund të ecin për shkak të torturave dhe dolën jashtë burgut duke u "zvarritur".
Në videon e shpërndarë nga Shoqata e të Burgosurve dhe të Zhdukurve të Burgut Sednaya (ADMSP), mund të shihen gratë e lira nga Sednaya. Në pamje grave u thuhet se janë të sigurt, "Asadi ka rënë, mos kini frikë!".
Një tjetër imazh i shpërndarë në mediat sociale tregon njerëz që presin pranë burgut për të parë nëse të afërmit e tyre janë në mesin e të liruarve nga Sednaya.
Në një regjistrim tjetër që thuhet se është regjistruar në rrugët e Damaskut, shihen duke vrapuar në rrugë të liruarit. Në pamje një nga robërit e shpëtuar pyet një kalimtar se çfarë ka ndodhur dhe i thonë "Ne përmbysëm regjimin" ndërsa ai nuk mund ta fshehë lumturinë e tij kur dëgjon përgjigjen.
Gjithashtu, në një video tjetër që ka qarkulluar në median sociale, një i burgosur sirian që u lirua me rënien e regjimit Baath, disa orë para ekzekutimit të tij përcjell se "Ekzekutimi ynë ishte gjysmë ore më parë. 54 persona... Ekzekutimi ynë ishte sot".
Sednaya, qendra e torturës e regjimit të Asadit
Sipas raporteve të publikuara nga organizatat ndërkombëtare, thuhet se Burgu Ushtarak Sednaya i vendosur 30 kilometra larg kryeqytetit Damask dhe i lidhur me Ministrinë e Mbrojtjes të regjimit të rrëzuar u kthye në një bazë ku mbaheshin demonstruesit paqësorë kundër regjimit dhe elementët ushtarakë anti-regjim, pas ngjarjeve të marsit 2011.
Në raporte thuhet se zyrtarët e regjimit të përmbysur, në burg organizuan në heshtje dhe sistematikisht vrasjen e mijëra njerëzve që ata kishin arrestuar.
Në raportet që zbulojnë se regjimi në burg ka kryer ekzekutime jashtëgjyqësore përmes "ekzekutimeve masive", vihet në dukej se rreth 50 persona u varën çdo javë, ndonjëherë çdo dy javë, midis 2011 dhe 2015.
Gjithashtu, raportet tregojnë se regjimi i mbante qëllimisht të burgosurit e tij në Sednaya në kushte çnjerëzore, i torturonte në mënyrë të përsëritur dhe i privonte sistematikisht nga ushqimi, uji, ilaçet dhe kujdesi mjekësor.
Hetimi i Amnesty International në vitin 2017 zbuloi se vrasjet dhe torturat në Sednaya që nga viti 2011 janë kryer si pjesë e një sulmi të gjerë dhe sistematik ndaj popullsisë civile të vendit dhe janë kryer si pjesë e politikës së regjimit.
Në raportin e saj, Amnesty International njofton se kanë arritur në përfundimin se shkeljet e zyrtarëve të regjimit të rrëzuar në Sednaya përbëjnë krime kundër njerëzimit.
"Fotografitë e Cezarit"
Fotografitë e bëra nga ushtari me emrin e koduar "Cezari" i cili ka shërbyer në ushtrinë e regjimit sirian dhe ka qenë përgjegjës për regjistrimin e kufomave të sjella në spitalet ushtarake gjatë luftës civile, mendohet se u përkasin rreth 11 mijë njerëzve të moshës 20 deri në 40 vjeç, të cilët u përcaktuan se ishin vrarë me tortura dhe metoda çnjerëzore nga regjimi.
Plagët mbi kufoma në fotografitë e bëra midis majit 2011 dhe gushtit 2013 kanë vlerë provuese pasi tregojnë se si torturoheshin dhe vriteshin personat që mbaheshin në objektet ushtarake të forcave të regjimit.
Rreth 55 mijë fotografi të realizuara nga ushtari i koduar "Cezari" u publikuan nga AA për herë të parë në vitin 2014. Fotografitë në fjalë patën një ndikim të madh si dëshmi e krimeve të luftës të kryera nga regjimi i Asadit, duke përfshirë torturën sistematike dhe urinë.