Çka nëse Gjermania nuk mund të furnizojë me energji termocentralet e saj të qymyrit këtë dimër?     Foto: TRT World

Qeveria gjermane është e shqetësuar se nuk do të jetë në gjendje të furnizojë me energji termocentralet e saj të sapo riaktivizuara të qymyrit për shkak të niveleve të ulëta të ujit në lumin Rhine, sipas një dokumenti të hartuar nga Ministria e Ekonomisë dhe parë nga agjencia e lajmeve Reuters.

Rusia ka reduktuar në mënyrë drastike furnizimin me gaz në Gjermani në javët e fundit në rreth 20 për qind të kapacitetit përmes tubacionit të saj Nord Stream 1. Kremlini ka përmendur probleme teknike, por udhëheqësit evropianë thonë se reduktimi është një veprim politik që synon të ushtrojë presion mbi Perëndimin për të hequr sanksionet e tij ekonomike ndaj Rusisë për luftën në Ukrainë.

Gjermania, ekonomia më e madhe e Evropës, kishte ndërtuar strategjinë e saj energjetike për t'u mbështetur në një furnizim të qëndrueshëm dhe të lirë të gazit nga Rusia. Ndërsa Evropa synon të heqë dorë nga gazi rus, Gjermania është një nga vendet që do të preket më shumë nga mungesat e mundshme të gazit këtë dimër, pasi ka frikë se Rusia mund të ndërpresë furnizimin krejtësisht. Gjermania, së bashku me Italinë dhe ekonomitë më të vogla në Evropën Lindore, mbështetet shumë në gazin rus si për industrinë ashtu edhe për ngrohjen.

Për të trajtuar krizën e ardhshme energjetike, Gjermania ka njoftuar se do të rihapë disa nga termocentralet e saj me qymyr që u mbyllën si pjesë e një përpjekjeje për të përmbushur objektivat e saj klimatike dhe për të reduktuar përdorimin e lëndëve djegëse fosile më të ndotura.

Por, sipas dokumentit, qeveria tani është e shqetësuar se nuk do të jetë në gjendje të transportojë qymyrin që i nevojitet për t'i furnizuar ato termocentrale atje ku është e nevojshme, me rrugën kryesore ujore, Rhine, që vuan nga nivelet jashtëzakonisht të ulëta të ujit. Ashtu si pjesa tjetër e Evropës, Gjermania ka përjetuar një nga thatësirat më të këqija në historinë e saj të fundit këtë verë.
Furnizimi me naftë në pjesën lindore të vendit mund të jetë gjithashtu një problem, thekson dokumenti.
"Për shkak të reduktimit të transportit vendas, rezervat e grumbulluara të qymyrit mund të bien shpejt. Vendet e magazinimit shtesë që janë blerë dhe po prokurohen në Gjermaninë jugore ndoshta nuk do të mbushen deri në dimër”, thuhet në dokument, duke përmendur se nivelet e ulëta të ujit kanë reduktuar volumin e qymyrit që mund të transportohet nga maunat e lumenjve.

Përderisa Gjermania e miratoi legjislacionin të mërkurën për t'i dhënë përparësi transportit të energjisë në rrjetin hekurudhor të vendit, dokumenti thotë se kjo nuk ka gjasa të mjaftojë.
"Kërkesa e lartë dhe kapaciteti i pakët i transportit në transportin hekurudhor po çojnë në një situatë sfiduese në logjistikën e naftës. Disa produkte nga rafineritë nuk mund të zhvendosen”, shton dokumenti.

Krahas urdhrave të urgjencës së transportit hekurudhor, Gjermania prezantoi edhe masa për të reduktuar konsumin e energjisë. Këto përfshijnë një kërkesë që ndërtesat publike të ngrohen në një maksimum prej 19 gradë Celsius – më pak se temperatura e rekomanduar më parë – me përjashtime për shkollat dhe spitalet.

Dekreti i urgjencës thotë gjithashtu se të gjitha ndërtesat dhe reklamat që ndriçohen natën për arsye estetike duhet të fiken, duke zgjeruar masat e paralajmëruara më parë që përfshinin mbylljen e shatërvaneve publike dhe mbylljen e ndriçimit të fasadës së ndërtesave publike.

TRT World