Kompanitë gjermane të sigurimeve po përballen me kosto të larta pas përmbytjeve në Gjermaninë jugore dhe dëmi vlerësohet në dy miliardë euro, raporton Spiegel.
Niveli i ujit në lumenjtë në jug të vendit është ende rrezikshëm i lartë dhe dëmtime të dukshme ka në vendet ku uji është tërhequr.
“Ne presim që humbjet e siguruara të jenë rreth dy miliardë euro”, tha Jorg Asmussen, drejtor i përgjithshëm i Shoqatës Gjermane të Sigurimeve (GDV), në lidhje me pasojat e përmbytjeve në Bavari dhe Baden-Württemberg.
Ai theksoi se vlerësimi është ende i pasigurt pasi që uji ende nuk është zmbrapsur në të gjitha vendet dhe se prioritet është që të ofrohet ndihmë efikase dhe e shpejtë për qytetarët e prekur, shkruan Drejtësia Evropiane.
Gjatë Krishtlindjeve, shumë lumenj në Gjermaninë veriore dhe qendrore shpërthyen brigjet e tyre, duke shkaktuar dëme të vlerësuara në 200 milionë euro, me përmbytjet në Saarland dhe Rhein-Pfalz që u kushtuan siguruesve të njëjtën shumë, sipas një parashikimi të mëparshëm të GDV.
Në Gjermani, pas përmbytjeve në jug, ka rifilluar diskutimi për nevojën e sigurimit të detyrueshëm të banesave nga fatkeqësitë natyrore, por koalicioni qeverisës nuk është dakord për këtë.
Zona të shumta në Gjermaninë jugore, veçanërisht në Bavari, u goditën nga përmbytjet javën e kaluar që vranë gjashtë persona dhe dëmtuan mijëra shtëpi.