Dhjetëra viktima nga zjarri në një lokal të Istanbulit / Photo: AA

Të paktën 29 persona kanë humbur jetën në një klub nate në metropolin turk Istanbul, pas një zjarri që shpërtheu gjatë punimeve të rinovimit në lokal.

Viktimat janë punëtorë të ndërtimit në klubin e natës ku shpërthyen flakët në katin minus një dhe dy të një ndërtese 16-katëshe në lagjen Besiktas të qytetit, njoftoi Guvernatoria e Istanbulit në një deklaratë zyrtare të martën.

Shkaku specifik i zjarrit mbetet i panjohur, por në deklaratë thuhet se ka ardhur nga puna e rinovimit.

Me marrjen e alarmit, zjarrfikësit, ekipet mjekësore dhe policia kanë mbërritur me shpejtësi në vendngjarje, ndërsa forcat e rendit kanë siguruar zonën.

Zjarrfikësit me 31 automjete dhe 86 efektivë kanë shuar flakët me shpejtësi dhe kanë vënë situatën nën kontroll.

“Përpjekjet e ekipeve të shpëtimit janë duke vazhduar në vendin e incidentit”, thuhet në deklaratë.

Drejtori i Komunikimit të Türkiyes, Fahrettin Altun, u përcolli ngushëllimet familjeve të qytetarëve që humbën jetën nga zjarri dhe u uroi shërim të shpejtë qytetarëve të plagosur në X.

Altun tha se presidenti Erdoğan po monitoron nga afër të gjitha zhvillimet rreth këtij incidenti tragjik, duke marrë të gjitha përditësimet nga ministritë dhe Zyra e Guvernatorit të Istanbulit.

Një hetim i plotë ka nisur për ngjarjen, të gjitha aspektet e zjarrit do të shqyrtohen, shtoi ai.

TRT Balkan / agjencitë