Dita Botërore e Refugjatëve: Numri i refugjatëve palestinezë mbi 6 milionë / Photo: AA

Më shumë se gjashtë milionë refugjatë palestinezë janë regjistruar në agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë UNRWA.

Në një deklaratë për shënimin e Ditës Botërore të Refugjatëve, Byroja Qendrore Palestineze e Statistikave tha se 2.5 milionë refugjatë jetojnë në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës, që përbëjnë 42 për qind të refugjatëve palestinezë të regjistruar.

Në deklaratë thuhet se refugjatët përbëjnë rreth 66 për qind të popullsisë së Rripit të Gazës dhe 26.3 për qind të popullsisë së Bregut Perëndimor.

Sipas deklaratës, rreth 40,2 për qind të refugjatëve palestinezë në diasporë jetojnë në Jordani, 9,7 për qind jetojnë në Siri dhe 8,2 për qind në Liban.

"Këto vlerësime përfaqësojnë numrin minimal të refugjatëve palestinezë, duke marrë parasysh se ka refugjatë të paregjistruar, pasi ky numër nuk përfshin ata palestinezë që u zhvendosën pas vitit 1949 deri në prag të luftës së qershorit 1967", thuhet në deklaratë, duke shtuar:

"Shifra gjithashtu nuk përfshin palestinezët që u larguan ose u dëbuan në vitin 1967 për shkak të luftës".

AA