Droni izraelit vrau dy palestinezë në kampin e refugjatëve Nur Shams.     /Foto: Reuters

Dy palestinezë, përfshirë një fëmijë, u vranë të enjten herët në një sulm nga një dron izraelit në kampin e refugjatëve Nur Shams në qytetin Tulkarem, në veri të Bregut Perëndimor të okupuar.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se dy palestinezë u vranë në kampin e refugjatëve Nur Shams në Tulkarem.

Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve, WAFA, njoftoi se ushtria izraelite, e shoqëruar nga buldozerë, hyri në Tulkarem dhe kampin e refugjatëve Nur Shams në orët e para të mëngjesit.

U raportua se buldozerët izraelitë po shkatërronin infrastrukturën dhe pronat e njerëzve në kamp.

Agjencia palestineze gjithashtu raportoi për përleshje dhe shpërthime, ndërkohë që dronët fluturonin mbi kamp.

Tensionet po rriten në gjithë Bregun Perëndimor për shkak të ofensivës brutale izraelite në Rripin e Gazës, ku janë vrarë mbi 43.100 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë.

Sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, të paktën 766 palestinezë janë vrarë dhe rreth 6.300 janë plagosur në sulmet e ushtrisë izraelite në Bregun Perëndimor.

TRT Balkan / agjencitë