Krerët francezë të ekstremit të djathtë dhe të majtë përshëndetën të dielën një fitore kundër bllokut të presidentit Emmanuel Macron pas rezultateve paraprake të zgjedhjeve të parakohshme.
Marine Le Pen, në një konferencë shtypi, përshëndeti "fundin e bllokut të Macronit" dhe tha: "Demokracia ka folur. Francezët e kanë vendosur Tubimin Kombëtar (RN) dhe aleatët e tij në krye dhe praktikisht kanë fshirë bllokun makronist.”
Ish-presidenti i RN-së përshëndeti gjithashtu një pjesëmarrje të lartë që vlerësohet të kalojë 65 për qind, sipas sondazheve.
Le Pen paralajmëroi qytetarët kundër "frikës së pajustifikuar" dhe "kërcënimeve të shpikura" në lidhje me të djathtën ekstreme dhe u zotua se asnjë francez nuk do të shohë humbje të të drejtave të tyre.
“Ne kemi nevojë për një shumicë absolute”, tha ajo dhe theksoi rëndësinë e raundit të dytë të zgjedhjeve që do të mbahet më 7 korrik.
Udhëheqësi i ekstremit të djathtë bën thirrje për unitet
Duke iu drejtuar një konference shtypi, presidenti i RN Jordan Bardella përshëndeti rezultatet paraprake.
Ai bëri thirrje për bashkimin e forcave në raundin tjetër, duke paralajmëruar kundër një fitoreje të krahut të majtë dhe duke premtuar se do të ishte mbrojtësi i të drejtave dhe lirive të qytetarëve francezë.
Bardella u zotua gjithashtu se do të ishte një kryeministër i "bashkëjetesës (koalicionit), respektues i Kushtetutës dhe funksionit të presidentit, por pa kompromis për politikën" që partia e tij do të zbatonte.
Udhëheqësi i krahut të majtë përshëndet humbjen e Macronit
Figura kryesore e aleancës së krahut të majtë "Fronti i Ri Popullor", Jean Luc-Melenchon, tha në një konferencë shtypi se këto sondazhe "i shkaktuan një humbje të rëndë dhe të pamohueshme" Presidentit Macron.
Ai theksoi se aleanca e tij do të përballet me “duele” në shumicën e vendeve në raundin e dytë të zgjedhjeve të 7 korrikut dhe më së shumti kundër RN-së.
“Askund nuk do të lejojmë që RN-ja ta kapërcejë atë… Udhëzimi ynë është i thjeshtë, i drejtpërdrejtë dhe i qartë. As një votë, as një vend më shumë për RN-në”, tha ai.
RN-ja mori 34,2 për qind të votave, sipas sondazheve të daljes bazuar në vlerësimet e kompanisë anketuese Ifop, raportoi e përditshmja Le Figaro.
"Fronti i Ri Popullor" që mbledh partitë e majta mori 29,1 për qind dhe vjen i dyti për momentin, ndërsa aleanca centriste "Së bashku për Republikën" e mbështetur nga Presidenti Macron u rendit e treta me 21,5 për qind të votave.
Një proces votimi 12-orësh përfundoi të dielën ku mbi 49 milionë votues të regjistruar votuan në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Qendrat e votimit u hapën në orën 8 të mëngjesit në gjithë vendin.
Votuesit iu drejtuan qendrave të votimit për të zgjedhur 577 anëtarë të Asamblesë Kombëtare, dhomën e ulët të parlamentit, për një mandat pesëvjeçar.
Presidenti Macron shpërndau parlamentin dhe shpalli zgjedhje të parakohshme pasi RN mori më shumë se 31 për qind të votave në zgjedhjet e Parlamentit Evropian më 9 qershor, duke mundur bllokun e tij qendror.