Ekonomistët paralajmërojnë se viti 2023 do të jetë vit edhe më i rëndë për ekonominë botërore, duke cituar “një numër krizash”.
Viti aktual supozohej të ishte viti i rimëkëmbjes për ekonominë botërore pas pandemisë së Covid-19.
Por, përkundrazi, viti 2022 u shënua nga një luftë e re, inflacion rekord dhe katastrofa të lidhura me klimën. Ishte vit “polikrizash”, një term i popullarizuar nga historiani Adam Tooze.
Përgatituni për më shumë zymtësi në vitin 2023.
“Numri i krizave është rritur që nga fillimi i shekullit”, tha Roel Beetsma, profesor i makroekonomisë në Universitetin e Amsterdamit.
“Nuk kemi parë një situatë kaq të komplikuar që nga Lufta e Dytë Botërore”, tha ai për AFP-në.
Pas krizës ekonomike të shkaktuar nga Covidi në vitin 2020, çmimet e konsumit filluan të rriten në vitin 2021 pasi që shtetet dolën nga karantina ose restriksionet e tjera.
Bankat Qendrore insistonin se inflacioni i lartë do të jetë vetëm i përkohshëm derisa ekonomitë kthehen në normale. Por, invazioni rus në Ukrainë në fund të shkurtit i çoi në qiell çmimet e energjisë dhe ushqimit.
Shumë vende tani po luftojnë me krizat e çmimit të jetesës, pasi pagat nuk po mbajnë hapin me inflacionin, duke detyruar familjet të marrin vendime të vështira lidhur me shpenzimet e tyre.
Kriza në Evropë
Në Bashkimin Evropian 27-anëtarësh, 674 miliardë euro deri tani janë destinuar për të mbrojtur konsumatorët nga çmimet e larta të energjisë, sipas think tank-ut Bruegel.
Gjermania, ekonomia më e madhe evropiane dhe më e varura nga energjia ruse, merr pjesë me 264 miliardë euro në këtë shumë të përgjithshme.
Sipas një studimi të EY Consulting, çdo i dyti gjerman thotë se tashmë harxhon vetëm në gjëra esenciale.
Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, paralajmëroi se inflacioni në Eurozonë do të rritet edhe më tej dhe dërgoi sinjal të qartë se Banka Qendrore Evropiane do të vijojë politikën e saj të shtrëngimit.
Ekonomistët presin që Gjermania dhe një tjetër ekonomi e madhe e Eurozonës, Italia, të hyjnë në recesion. Ekonomia britanike tashmë po tkurret. Agjencia e rejtingut S&P Global parashikon stagnim në Eurozonë për vitin 2023.
Por, për Beetsma, kriza më e madhe është ndryshimi klimatik, i cili “po ndodh në slow motion”.
Katastrofat natyrale dhe të shkaktuara nga njeriu shkaktuan humbje ekonomike prej 268 miliardë dollarëve deri tani në vitin 2022, sipas gjigantit të sigurimeve Swiss Re. Vetëm uragani Ian shkaktoi dëm të siguruar prej rreth 50-65 miliardë dollarëve.
Vërshimet në Pakistan rezultuan me dëme dhe humbje ekonomike prej 30 miliardë dollarëve këtë vit.