Ekuador, vritet kandidati presidencial Villavicencio / Foto: AA / Photo: ATA

Pas një plage të rëndë që pësoi gjatë një sulmi të armatosur, vdiq kandidati presidencial i Ekuadorit, Fernando Villavicencio, i njohur për "qëndrimin e tij kundër korrupsionit" përpara zgjedhjeve presidenciale të planifikuara për 20 gusht.

Menaxherët e fushatës konfirmuan për mediat lokale se Villavicencio u qëllua tri herë në kokë ndërsa po hipte në makinën e tij pas një ngjarjeje ku mori pjesë në kryeqytetin Quito.

Kryeprokurori i Ekuadorit tha se i dyshuari që kreu sulmin u qëllua në një shkëmbim zjarri me forcat e sigurisë dhe vdiq nga plagët që mori.

Gjithashtu, bëhet e ditur se nëntë persona u plagosën nga sulmi, duke përfshirë një kandidat për deputet dhe dy policë.

Presidenti Guillermo Lasso konfirmoi se Villavicencio u vra, duke theksuar se pas vrasjes e cila ndodhi më pak se dy javë para zgjedhjeve presidenciale qëndron "krimi i organizuar".

"Ju siguroj se ky krim nuk do të mbetet pa u ndëshkuar. Grupet kriminale kanë shkuar shumë larg, por do të ndiejnë të gjithë barrën e ligjit", tha Lasso.

Në aksionet e kryera nga policia në Quito janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar për lidhje me ngjarjen.

Villavicencio më parë kishte thënë se ka marrë kërcënime të shumta me vdekje, duke përfshirë edhe nga drejtuesit e "Kartelit Sinaloa" të Meksikës, një nga grupet ndërkombëtare të krimit të organizuar që vepron në Ekuador.

AA