Euro 2024, Gjermania vendos kontrolle të sigurisë kufitare / Photo: AA

Gjermania do të kryejë kontrolle kufitare në të gjithë kufijtë e saj gjatë Kampionatit Evropian të Futbollit në qershor dhe korrik të këtij viti, tha ministrja e Brendshme e vendit, Nancy Faeser. Faeser tha për gazetën "Rheinische Post" se gjatë turneut do të kryhen kontrolle në të gjithë kufijtë gjermanë "për të parandaluar hyrjen e kriminelëve të mundshëm të dhunshëm". Ajo shtoi se "kjo është e nevojshme në mënyrë që të mbrohet më mirë kjo ngjarje e madhe ndërkombëtare". Siç tha ajo, fokusi i qeverisë është në mbrojtjen nga "ekstremistët, huliganët dhe sulmet kibernetike". Deklaratat e saj pasuan një sulm të armatosur në afërsi të Moskës, për të cilin organizata terroriste ISIS mori përgjegjësinë. Sulmi vrau 137 njerëz dhe plagosi më shumë se 180 - pasi persona të armatosur hapën zjarr të premten kur grupi rock Picnic ishte planifikuar të performonte në sallën e koncerteve Crocus City Hall në rajonin e Moskës. Megjithatë, vendimi për të rivendosur kontrollet kufitare gjatë turneut të futbollit ishte i shumëpritur. Kjo është bërë praktikë standarde për vendet e Shengenit gjatë ngjarjeve të mëdha sportive dhe samiteve të mëdha.

Gjermania tashmë zbaton kontrolle në kufijtë e saj lindorë dhe jugorë me Poloninë, Republikën Çeke, Austrinë dhe Zvicrën për shkak të shqetësimeve të migracionit.

Kampionati Evropian fillon më 14 qershor, me Gjermaninë nikoqire kundër Skocisë në ndeshjen hapëse në Mynih. Finalja do të luhet në Berlin më 14 korrik.

AA