Agjencia evropiane e policisë Europol ka njoftuar se 37 të dyshuar janë arrestuar në të gjithë Evropën në një operacion të përbashkët kundër "një celule kriminale shumë të dhunshme nga Ballkani Perëndimor".
“E udhëhequr nga një shtetas i Bosnjë e Hercegovinës, kjo celulë e fuqishme kriminale ishte e përfshirë kryesisht në trafikun e drogës në shkallë të gjerë dhe armëve të zjarrit në gjithë Evropën”, thuhet në komunikatës e Europolit.
Arrestimet, duke përfshirë kreun e celulës, u kryen njëkohësisht në Kroaci, Slloveni, Bosnjë e Hercegovinën, Holandë, Itali, Belgjikë dhe Gjermani.
Gjatë operacionit dhe bastisjeve forcat e sigurisë sekuestruan 148 mijë euro (mbi 158 mijë dollarë), 18 armë zjarri, duke përfshirë dy mitralozë dhe 2.512 copë municione, si dhe 500 gramë TNT me detonatorë të telekomanduar.
Po ashtu, gjatë bastisjeve, sipas agjencisë Europol, janë sekuestruar mbi 15 kilogramë kokainë, 11 kilogramë heroinë, tre kilogramë amfetaminë, shtatë kilogramë marihuanë, 10 kilogramë hashash, uniforma të forcave të rendit dhe dokumente false identiteti.
Në bashkëpunim me njësinë Europol, në operacion morën pjesë njësi të ndryshme të forcave të sigurisë nga Austria, Belgjika, Bosnjë e Hercegovina, Kroacia, Gjermania, Holanda, Sllovenia dhe ShBA-ja.