Azerbajxhani ka evakuuar stafin nga ambasada e tij në kryeqytetin e Iranit në Teheran të dielën, dy ditë pasi një sulmues i armatosur vrau një person brenda ndërtesës së ambasadës dhe plagosi dy të tjerë.
Sipas mediave azerbajxhanase, gjithsej 53 persona, përfshirë diplomatë dhe anëtarët e familjeve të tyre, hipën në një avion special i cili ateroi në Aeroportin Ndërkombëtar Heydar Aliyev në kryeqytetin Baku.
Në aeroplan gjithashtu ishte edhe kufoma e Orkhan Askerov-it, shefit të stafit të sigurisë së ambasadës, i cili u vra në sulmin që nxiti reagime të fuqishme në mbarë botën.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e së premtes kur një burrë i armatosur me kallashnikov, i identifikuar si Yasin Hosseinzadeh, hyri brenda ambienteve të ambasadës dhe hapi zjarr.
Shefi i policisë së Teheranit Hossein Rahimi u tha gazetarëve se sulmuesi u arrestua menjëherë, duke shtuar se hetimet paraprake si motiv të mundshëm të sulmit nxjerrin "problemet personale dhe familjare".
Evakuimi u bë disa orë pasi presidenti iranian Ebrahim Raisi dhe homologu i tij azerbajxhanas Ilham Aliyev patën një telefonatë ku diskutuan çështjen, gjatë së cilës Raisi tha se është duke u zhvilluar një hetim i plotë.
Sipas deklaratës së lëshuar nga zyra e tij, Raisi citohet të këtë thënë se qeveritë e të dy vendeve "nuk do të lejojnë që marrëdhëniet dypalëshe të preken nga keqbërësit".
Aliyev e kishte denoncuar më parë sulmin si një "akt terrorist" dhe kërkoi hetime. Ministria e Jashtme e vendit thirri gjithashtu ambasadorin iranian.
Duke folur para gazetarëve në Baku të dielën, zëvendësministri i Jashtëm i Azerbajxhanit Khalaf Khalafov e konsideroi Iranin përgjegjës për sulmin dhe pasojat e tij, siç raportohet nga mediat azerbajxhanase.
Ai tha se sulmi ishte "i papritur", duke shtuar se vendeve pritëse u kërkohet të përmbushin detyrimet e tyre sipas Konventës së Vjenës për të garantuar sigurinë e misioneve të huaja diplomatike në territorin e tyre.
Diplomati i lartë azerbajxhanas shtoi se presidenti Aliyev kishte vendosur të evakuonte ambasadën në kryeqytetin iranian, duke e cilësuar atë një "vendim të vështirë" dhe duke shtuar se "nuk kanë asnjë shpresë dhe besim".
Ndërkohë, agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve ISNA e Iranit citoi një "burim të informuar" në Ministrinë e Jashtme të ketë thënë se funksionimi i ambasadës së Azerbajxhanit do të vazhdojë, ndonëse me një staf më të vogël diplomatik.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Azerbajxhanit, Aykhan Hajizada, njoftoi të shtunën se do të dërgonin një aeroplan në Teheran për të sjellë stafin diplomatik si dhe trupin e shefit të sigurisë të ambasadës.
Incidenti ka rritur tensionet midis Iranit dhe Azerbajxhanit, dy vendeve fqinje që ndajnë një kufi prej 765 kilometrash.
Autoritetet iraniane këmbëngulin se nuk ishte një sulm terrorist, por i kryer me motive personale.
Ministri i Jashtëm i Iranit Hossein Amir-Abdollahian në një telefonatë të premten me homologun e tij azerbajxhanas Jeyhun Bayramov tha se incidenti nuk do të lejohet të ketë "ndikim të keq" në marrëdhëniet dypalëshe.
Ai propozoi gjithashtu bashkëpunim ndërmjet agjencive të sigurisë të dy vendeve për të ndriçuar aspekte të ndryshme të sulmit.