Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, nënshkroi projektligjin shumë të debatuar që synon kufizimin e qasjes së fëmijëve në platformat e mediave sociale.
HB 3, një ligj që u ndalon fëmijëve nën moshën 14 vjeç që të kenë llogari në mediat sociale, ndërsa përsa u përket 14 dhe 15-vjeçarëve, ato mund të kenë llogari me pëlqimin e prindërve.
DeSantis në një deklaratë të lëshuar nga zyra e tij tha "Mediat sociale dëmtojnë fëmijët në mënyra të ndryshme". "HB 3 u jep prindërve një aftësi më të madhe për të mbrojtur fëmijët e tyre. Faleminderit kryeparlamentarit Renner për dorëzimin e këtij legjislacioni historik", vijoi ai më tej.
Sipas Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Renner, interneti është bërë një rrugicë e errët për fëmijët tanë, ku grabitqarët e kanë më të lehtë t’i synojnë ata. Ai shtoi se mediat e rrezikshme sociale çojnë në nivele më të larta të depresionit, vetëdëmtimit dhe madje edhe vetëvrasjes.
“Falë nënshkrimit të Guvernatorit DeSantis, Florida udhëheq rrugën në mbrojtjen e fëmijëve në internet, ndërsa shtetet në gjithë vendin luftojnë për t'i adresuar këto rreziqe", theksoi Renner.
Kritikët argumentojnë se ligji është antikushtetues dhe se ai mund të përballet me sfida ligjore nga industria e teknologjisë pasi gjykatat kanë bllokuar legjislacion të ngjashëm në shtete të tjera.
Në deklaratën e ardhur nga zyra e guvernatorit raportohet se ky legjislacion mbron gjithashtu aftësinë e banorëve të Floridas për të mbetur anonimë në internet dhe kërkon që faqet pornografike ose seksuale të përdorin verifikimin e moshës për të parandaluar të miturit të hyjnë në faqet që janë të papërshtatshme për fëmijët.
Legjislatura e shtetit amerikan kishte miratuar një projektligj në shkurt që do të ndalonte plotësisht fëmijët nën 16 vjeç nga mediat sociale. DeSantis vuri veton ndaj këtij projektligji, duke ngritur shqetësime për shkeljen e të drejtave prindërore. Ky version i ndryshuar do të hyjë në fuqi më 1 janar 2025.