Forcat amerikane dhe britanike sulmuan me mjete ajrore provincën Raymah të Jemenit.
Kanali televiziv Al-Masirah, i lidhur me grupin Huthi, transmetoi se "avionët e forcave agresive amerikano-britanike kryen katër sulme në kompleksin qeveritar në qarkun Al-Gabin të provincës Raymah".
Kanali nuk dha detaje të mëtejshme rreth viktimave të mundshme nga bombardimet.
Ndërkohë, më 13 qershor, grupi Huthi njoftoi se dy sulme ajrore amerikano-britanike kishin shënjestruar kompleksin qeveritar në Raymah, duke vrarë dy persona dhe duke plagosur nëntë të tjerë.
Grupi Huthi më herët ka shënjestruar anije mallrash në Detin e Kuq të cilat janë në pronësi apo në operim të kompanive izraelite, ose anije që transportojnë mallra drejt dhe nga Izraeli, në solidaritet me Gazën, e cila është nën sulm izraelit që nga 7 tetori.
Me rritjen e tensioneve për shkak të kryerjes së sulmeve ajrore të përbashkëta të ShBA-së dhe Britanisë së Madhe kundër objektivave të Huthive në Jemen, grupi deklaroi se i konsideronte të gjitha anijet amerikane dhe britanike si objektiva legjitime ushtarake.
Një koalicion i udhëhequr nga ShBA-ja ka kryer sulme ajrore të kohëpaskohshme që nga 12 janari, duke shënjestruar "lokacionet e grupit Huthi" në Jemen në përgjigje të sulmeve të kryera nga grupi në Detin e Kuq.