Forcat amerikane kryejnë sulme ajrore në Irak.    /Foto: AA

Ushtria amerikane dje kreu sulme ajrore në Irak kundër objektivave të grupit Kataib Hezbollah të mbështetur nga Irani.

"Në përgjigje ndaj sulmeve të shumta kundër forcave të koalicionit në Irak dhe Siri, forcat ushtarake amerikane kryen sulme ajrore kundër objekteve të shumta të përdorura nga Kataib Hezbollah dhe grupet e lidhura në Irak në orën 20:45 më 25 dhjetor", tha në komunikatë Komanda Qendrore e ShBA-së (CENTCOM).

Sulmet ajrore shkatërruan objektet e synuara dhe me gjasë janë vrarë disa militantë të Kataib Hezbollah, shtoi CENCTOM, duke theksuar se asnjë civil nuk u prek nga sulmet.

"Këto sulme synojnë të mbajnë përgjegjës ata elementë që janë drejtpërdrejt përgjegjës për sulmet ndaj forcave të koalicionit në Irak dhe Siri dhe të degradojnë aftësinë e tyre për të vazhduar sulmet. Ne gjithmonë do t'i mbrojmë forcat tona", citohet të ketë thënë komandanti i CENTCOM, gjenerali Michael Erik Kurilla.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, njoftoi se sulmet "e nevojshme dhe proporcionale" u kryen nën drejtimin e presidentit Joe Biden në tri objekte të përdorura nga Kataib Hezbollah dhe grupet e lidhura në Irak.

“Këto sulme precize janë përgjigje ndaj një serie sulmesh kundër personelit amerikan në Irak dhe Siri nga milicitë e sponsorizuara nga Irani, duke përfshirë një sulm nga Kataib Hezbollah, i lidhur me Iranin, dhe grupet e lidhura në bazën ajrore Erbil më herët sot, dhe synojnë të pengojnë dhe degradojnë aftësitë e grupeve të milicive përgjegjëse, të lidhura drejtpërdrejt me Iranin”, tha Austin në një deklaratë.

Ai shtoi se në sulmet e mëparshme të grupeve ndaj forcave amerikane janë plagosur tre pjesëtarë të personelit amerikan, duke lënë një pjesëtar në gjendje kritike.

"Më lejoni të jem i qartë, presidenti dhe unë nuk do të hezitojmë të ndërmarrim veprimet e nevojshme për të mbrojtur ShBA-në, trupat tona dhe interesat tona. Nuk ka prioritet më të lartë. Teksa ne nuk kërkojmë të përshkallëzojmë konfliktin në rajon, ne jemi të përkushtuar dhe plotësisht të përgatitur për të marrë masa të mëtejshme të nevojshme për të mbrojtur njerëzit tanë dhe objektet tona”, shtoi ai.

TRT Balkan / agjencitë