Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe thanë të hënën se mirëpresin përpjekjet nga Katari, Egjipti dhe SHBA-ja “drejt një marrëveshjeje për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve”.
Një deklaratë e përbashkët e nënshkruar nga presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministri britanik Keir Starmer tha se ata miratuan një deklaratë të përbashkët të Emirit të Katarit Sheikh Tamim bin Hamad al Thani, Presidentit të Egjiptit Abdel Fattah al-Sisi dhe Presidentit të ShBA-së Joe Biden “duke bërë thirrje për rifillimin e menjëhershëm të negociatave”.
“Ne pajtohemi që nuk mund të ketë vonesa të mëtejshme”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se ata “kanë punuar me të gjitha palët për të parandaluar përshkallëzimin dhe nuk do të kursejnë asnjë përpjekje për të ulur tensionet dhe për të gjetur një rrugë drejt stabilitetit”.
Më tej, thuhet: “Luftimi duhet të përfundojë tani dhe të gjitha pengjet e mbajtura ende nga Hamasi duhet të lirohen. Populli i Gazës ka nevojë për shpërndarje urgjente dhe të papenguar të ndihmës.”
“Ne jemi thellësisht të shqetësuar nga tensionet e rritura në rajon dhe të bashkuar në angazhimin tonë për de-përshkallëzimin dhe stabilitetin rajonal. Në këtë kontekst, dhe në veçanti, i bëjmë thirrje Iranit dhe aleatëve të tij që të përmbahen nga sulmet që do të përshkallëzojnë më tej tensionet rajonale dhe do të rrezikojnë mundësinë për të rënë dakord për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve.”
“Ata do të mbajnë përgjegjësi për veprimet që rrezikojnë këtë mundësi për paqe dhe stabilitet. Asnjë vend apo komb nuk do të përfitojë nga një përshkallëzim i mëtejshëm në Lindjen e Mesme.”